OKB paralajmëron një krizë të mundshme ushqimore në botë
Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron një tjetër krizë të mundshme ushqimore në botë. çmimet e ushqimeve në botë janë më të ulëta sot se sa gjatë krizës së viteve 2007 - 2008. Por në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, Zhak Diuf, drejtori i përgjithshëm i Organizatës për Ushqimin dhe Bujqësinë, të Kombeve të Bashkuara thotë se aktualisht kushtet nuk janë më të mira dhe një krizë mund të ndodhë sërish.Protestat shpërthyen në Kenia dhe në më shumë se 30 vende në vitet 2007 dhe 2008 , sepse njerëzit nuk përballonin dot blerjen e ushqimeve. Specialistë thonë se çmimet e larta të energjisë, kërkesa në rritje për karburante alternative, rezervat e pakta të grurit dhe moti i keq në vendet prodhuese të tij, çuan në ngritjen e çmimeve në fillim të vitit 2007. Në përgjigje të çmimeve të larta, eksportuesit kryesorë botërorë kanë rritur prodhimin. Por shefi i FAO-s, Zhak Diuf, thotë se bujqërit e disa prej vendeve më të dobëta, kanë mbetur prapa. çmimet e ushqimit mbeten të larta në mjaft vende në zhvillim. Diuf thotë se vazhdon të ekzistojë rreziku i rritjes së çmimeve në botë. çmimi i energjisë nuk ka rënë në nivelet që ishte përpara krizës, dhe të korrat ende po përdoren për karburante alternative. Në fakt, ai thotë se me përjashtim të rritjes së rezervave të grurit, nuk ka ndryshuar shumë që nga viti 2007. Specialistët thonë se përmbytjet, thatësira dhe moti i paparashikuar po bëhen më të pranishme, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë popullsia e botës pritet që të shtohet me afërsisht 50%, rreth 9 miliardë njerëz deri në vitin 2050. Popullsia do të shtohet më shumë në vendet në zhvillim. Diouf thotë se shumë vende nuk po investojnë sa ç'duhet në bujqësi. Verën e kaluar në Itali, Grupi i 8 vendeve më të industrialuzura akordoi 20 miliardë dollarë për të ndihmuar fermerët në vendet në zhvillim për të shtuar rezervat ushqimore.