Zyrtarët pakistanezë të bindur se Mehsud ka vdekur
Pakistani ka njoftuar sot se posedon informata, të cilat sugjerojnë se shefi i talebanëve në Pakistan, Hakimullah Mehsud, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra, pas sulmit të ndërmarrë nga një fluturake amerikane pa pilot në janar.
“Kam informata të besueshme se ai ka vdekur, por ende nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar”, deklaroi Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik, pas intensifikimit të spekulimeve për fatin e Mehsudit.
Megjithatë, dy zyrtarë të lartë taleban mohuan lajmin për vdekjen e Mehsudit. Spekulimet për fatin e Mehsudit filluan të qarkullojnë sërish të martën, pasi që një zyrtar tjetër taleban, i cili deshi të mbetet anonim, theksoi se Mehsud ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Nëse konfirmohet vdekja e Mehsudi, kjo përkohësisht mund të pengojë fushatën e sulmeve me bomba nga ana e talebanëve, të ndërmarrë në disa qytete të Pakistanit, por megjithatë, rrjeti i tij, i cili është i pranishëm në gjithë vendin, do të vazhdojë edhe më tutje aktivitetet e veta.
Në Washington, një zyrtar amerikan për anti-terrorizëm theksoi se ai nuk është në gjendje të konfirmojë vdekjen e Mehsudit, por shtoi se tani talebanët janë ata, të cilët duhet të dëshmojnë se ai është gjallë.