E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama e McCain njohin Kosovën

Autori i Lajmit: red.
Analisti i shquar nga Instituti Amerikan i Paqes, Daniel Serwer, në një intervistë për VOA – edicioni në gjuhën serbe - ka vlerësuar se është për të ardhur keq që pjesa dërmuese e establishmentit politik të Serbisë ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
“Është për të ardhur keq që pjesa dërmuese e establishmentit politik serb ka zgjedhur të mos e njohë pavarësinë e Kosovës – gjë që gjithsesi do të jetë pengesë në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Serwer, duke u përgjigjur rreth deklaratës së presidentit serb Tadiç se “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se ai angazhohet për vazhdimin e bisedimeve”.

“Mendoj se negociatat ose bisedimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës janë ide e mire, mirëpo, natyrisht, Prishtina do të kërkoj atë lloj bisedimesh që bazohet në faktin se Kosova është shtet i pavarur. Gjithsesi, bisedimet janë të nevojshme ngase Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin shumë çështje të tjera – pasi që jo çdo gjë është zgjidhur me Planin e Ahtisaarit”.

Ndërkaq lidhur me angazhimin serb, për një lloj të ndarjes “funksionale” të Kosovës, plan ky për të cilin flitet mjaft në kohën e fundit, Serwer tha: “Shpesh e dëgjoj shprehjen “ndarje funksionale”, mirëpo kjo për mua paraqet ndarjen etnike të Kosovës”.

“Mendoj se kjo gjë do të mund të sillte deri te jostabiliteti në jug të Serbisë, ndoshta edhe në Vojvodinë. Serbia i ka marrë të gjitha që ka mundur të shpresonte nga Plani i Ahtisaarit dhe mendoj se duhet të hiqet dorë nga kërkesat e mëtejme për koncesione”.

I pyetur ndërkaq të komentojë pozicionet e kandidatëve presidencialë në SHBA, Barack Obama dhe John McCain, kundrejt Serbisë dhe Kosovës, Serwer shton se “që të dy kandidatët do të marrin pozicionin të cilin Washingtoni tashmë e ka marrë – dhe ky është, njohja e pavarësisë së Kosovës”.

Po ashtu Serwer ka theksuar se të dy kandidatët do të angazhohen për përmirësimin e raporteve me Serbinë, mirëpo sipas tij, çështja është se çfarë do të jetë qëndrimi i Serbisë: “A do të vazhdojë (Serbia) të djeg ambasadën amerikane dhe vendkalimet kufitare të OKB-së në Kosovë, apo do të pajtohet me gjendjen faktike dhe do të kryejë reformën në shërbimin e saj të sigurisë, që do të thotë arrestimin sa më parë të Karaxhiqit e Mlladicit dhe dorëzimi i tyre në Hagë. Këto do të jenë indikacionet të orientimit të duhur të Serbisë”, ka përfunduar Serwer.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›