E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Emri deri në 9 korrik

Autori i Lajmit: red.
MAQEDONI
Administrata amerikane është shprehur se angazhohet që çështja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonidë të zgjidhet për një periudhë afat gjatë. Zgjidhja do të kërkohet me intensitet deri më 9 korrik, por pala greke thotë se nuk duhet të ketë afate.
Më 9 korrik do të duhet të bëhet zyrtarizimi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Ky është dhe afati që të zgjidhet dallimi për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Këtë e thonë edhe nga NATO edhe nga SHBA-ja,të cilat janë angazhuar që të arrihet ky synim dhe kërkojnë zgjidhje të qëndrushme, tha zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Tom Kejsi.
"Ne do të duam që çështjen e emrit ta shohim të zgjidhur si pjesë e një politike afatgjatë", tha Kejsi.
Pritet që këtë qëndrim, por dhe një kërkesë për një konstruktivitet më të madh ta bëjë Rozmari Dikarlo, zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit.
Ajo mbërrin në Shkup të Premten, ku me krerët e lartë shtetërorë do të takohet edhe Methew Nimetz, ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit.
Këto vizita komentohen si përpjekjet e fundit të kësaj administrate amerikane që të mbyllë çështjen e emrit.
Edhe sekretarja amerikane e shtetit Condoliza Rice ka biseduar për Maqedoninë me Ministren e jashtme greke Dora Bakojanis gjatë takimit të tyre të martën në Berlin.
Rice sipas mediave greke ka prezantuar një plan konkret, por znj. Bakojanis ka deklaruar se nuk beson se mund të gjendet zgjidhje deri më 9 korrik.
Ajo citohet të ketë thënë se "kjo çështje është delikate dhe është i pamundur një rezultat pozitiv nga bisedimet brenda këtij afati".
Pas bllokimit në NATO, tani Greqia thotë se do të bllokojë edhe anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë ka deklaruar se edhe përkundër deklarimeve të palës greke, bisedimet do të vazhdojnë.
"Ne jemi të gatshëm që bisedimet të vazhdojnë në një atmosferë konstruktive, megjithatë dallimet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë, e cila do të bllokojë integrimet euro-atlantike të vendit", tha Milloshovski.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›