Obama e Putin takohen në G20, diskutojnë për Sirinë

Presidenti amerikan Barak Obama dhe presidenti rus Vlladimir Putin takohen në margjinat e samitit të G20 në Meksikë, në bisedimet e para dypalëshe, që kur Putin u kthye për një mandat të tretë në muajin mars.
Ndërkaq Shtëpia e Bardhë tha se kriza në Siri dhe programi bërthamor i Iranit do të dominojnë diskutimin.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në rritje në lidhje me situatën në Siri, ku Shtëpia e Bardhë dëshiron që Rusia të ndihmojë në bindjen e presidentit Bashar al-Assad që të lërë pushtetin.
Javën e kaluar sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton akuzoi Rusinë se ka siguruar helikopterë dhe pajisje të tjera ushtarake për qeverinë e Damaskut, akuza të cilat u mohuan nga Moska.
Gjithashtu të hënën, Interfax njoftoi se marinsat ruse mbi dy luftanije janë duke u përgatitur të lundrojnë për në Siri për të mbrojtur qytetarët rusë dhe një bazë detare.