E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, ëndrra e njeriut-ylber

PAS ZGJEDHJEVE AMERIKANE

“Unë kam një ëndërr, që fëmijët e mi të vegjël, të jetojnë një ditë në një komb, në të cilin nuk do të gjykohen për ngjyrën e lëkurës, por për karakterin e tyre. Unë kam një ëndërr, sot!” Martin Luter King, Washington, 28 gusht 1963.

Barack Hussain Obama ia doli; është presidenti i 44-t i shtetit më të fuqishëm në botë, Shtetit me SH të madhe, fatet e të cilit lidhen me nyje të dyfishta me fatet e gjithë globit. Barack Hussain Obama ia doli, dhe është një ngjarje historike, në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, sepse nga ky moment e tutje, historia rrjedh në një shtrat të ri.

Në radhë të parë, historike, për emrin Hussain, për origjinën e këtij burri që në gjak ka shumë rryma, kultura, ngjyra. Njeriu ylber gjysmë europian (mamaja e bardhë si bora me origjinë nga Kansas), dhe gjysmë afrikan (babai i zi si karboni me origjinë nga Kenya), burri që mishëron ëndrrën e afro-amerikanëve, të përzier me një formim klasik të borgjezëve të bardhë (është diplomuar në prestigjozin “Harward Law School”). Barack Obama ka kurorëzuar rrugën që komuniteti me ngjyrë filloi në të largëtin 1953, kur Gjykata Supreme shkatërroi sistemin e rracizmit legal që pengonteklasa të përziera me fëmijë të zinj dhe të bardhë. Ëndrra e Martin Luter King-ut, e Jasse Jackson-it, e atyre mijëra aktivistëve për të drejtat e njeriut që kërkonin të pastronin Amerikën nga njolla e vjetër e rracizmit, u realizua. Më në fund.

Amerika sot ndryshoi edhe sepse nuk u përça midis pjesës blu (demokratët), dhe pjesës së kuqe (republikanët). Sepse Obama foljet i zgjedhoi të gjitha në vetën e parë shumës, dhe kjo qe një ndër burimet kryesore të forcës së mesazhit të tij. “Ne”: të zinj, të bardhë, hispanikë, meksikanë, indianë autoktonë. Nuk ka rëndësi prejardhja, por i rëndësishëm është objektivi i përbashkët i një kombi që ka etje të ngrejë kokën pas shumë krizash (internacionale, ekonomike, politike), pasojat e së cilave po i përballon ende. Thuhet “ne”, dhe nënkuptohen amerikanët. Obama nuk është simboli i dikushit, por është thjesht simboli i vetvetes: burrë i ri, i përgatitur, me një kapacitet të lindur lidershipi dhe, natyrisht, i zi. Më në fund humbi barsaleta e presidentit që duhet të jetë “një si unë”, sepse tashmë duhet që njeriu që më drejton të jetë një më i mirë së unë. Humbet Bushi, bashkë me tetë vite, gjatë së cilave Amerika njohu 2 luftëra (që ende nuk u dihet fundi), dhe një klimë terrori e përdorur për qëllime elektorale (një emër mbi të gjithë: Guantanamo dhe legalizimi i torturës). Jehona e shuplakës që amerikanët i dhanë adminstratës së tij është shurdhuese, dhe pasojat e zhgënjimit i pagoi edhe McCain-i.

John McCain është protagonisti tjetër i kësaj dite; ai luftoi me agonizëm dhe me një energji që rrallë mund të pritet nga një 72-vjeçar. Por bëri edhe ai gabime, si përshembull zgjedhja e një zëvendëse (Palin), e cila nuk ka mësuar akoma emrin e kryeministrit të Kanadasë, dhe që, pas bujës fillestare, u transformua në një barrë të rëndë. Në demokraci nuk është e detyrueshme të zgjedhësh vetëm gjeni ose mendje të ndritura, por është e detyrueshme që istitucionet të mos banalizohen dhe, në to, të mos ulen thjesht shitës fjalësh.

Barack Obama hyn me famën e një rock-stari në Shtëpinë më të synuar dhe më të fuqishme në botë: Shtëpinë e Bardhë.

Po e pret mbi tavolinë një thes me probleme për të zgjidhur, dhe ka vështrimin e mbarë botës të fiksuar mbi vete. Sepse tani pritja është e madhe, dhe nuk mund të pranohet një koncert me zë të ulët. Amerikanët patën sërisht forcën për të besuar se as mediokriteti i Bushit dhe as problemet ekonomike nuk mund të mposhtnin atë “ëndërr amerikane”, e cila është guri themeltar i kombit. Jemi përballë një leksioni për të gjithë ne: gjërat ndryshojnë, dhe ëndrra është leva e çdo ndryshimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›