Një gabim taktik
Atë që po bën sot Ilir Meta (sfidimin e dy partive të mëdha), Edi Rama dukej se e kishte ndërmend ta bënte fill pasi Nano e Berisha kishin bërë në qershorin e 2002-shit paktin për Presidentin dhe Kryeprokurorin. Por, Rama, zgjodhi të mos i futej asaj rruge pa krye.Pasi zhvilloi takime publike në qytete të ndryshme veriore, ai, siç duket, e kuptoi të vërtetën kokëfortë se një parti e re mund të bëhet dominante, vetëm në rastet kur ndodhin tronditje të forta të sistemit politik, ose kur elektorati stërlodhet nga klasa politike egzistuese.
Kështu, ai e dinte se PD-ja shqiptare, e shumë parti të ngjashme të Europës Lindore, u bënë parti dominante fill pas ndryshimit tektonik që solli rënia e komunizmit.
Ndërsa “Forca Italia” e Berluskonit u bë forcë dominante pasi elektorati italian ishte lodhur për 50 vjet me klasën e vjetër politike, e cila kishte abuzuar tej mase me shtetin. Gjithashtu, partia e ish-mbretit Simeon të Bullgarisë, u bë partia numër një vetëm pasi socialistët dhe demokratët e kishin lodhur elektoratin bullgar deri në atë pikë sa vetëm nga 20% e votuesve votonin për to. Por kushte të ngjashme nuk ekzistonin në Shqipëri. Prandaj dhe Rama vendosi t’i futej rrugës së vështirë për t’u bërë udhëheqësi i PS-së.
Rrugës pa krye që nuk i hyri Rama, iu fut Ilir Meta.Dhe në fakt, në vitin 2005, partia e tij e pati një farë shansi të bëhej parti dominante në Shqipëri. Kjo, për faktin se elektorati i majtë dhe i lëkundur ishte lodhur nga papërgjegjshmëria me të cilën kishte qeverisur Fatos Nano. Por LSI-ja mori realisht vetëm rreth 10% të votave. Shumë pak për të qënë parti dominante, por mjaftueshëm për ta zbritur Nanon nga froni i tij arrogant. Pra, LSI-ja nuk i ndreqi dot punë vetes - ajo thjesht i prishi punë Nanos. Duke i hapur kështu rrugën Berishës për t’u bërë Kryeministër dhe Ramës për t’u ngjitur në krye të PS-së...
Por pse ndodhi kështu me LSI-në? Në zgjedhjet e 2005 nuk u krye ndonjë exit poll për të studiuar pse votuan shqiptarët, ashtu siç votuan, por hamendje edhe mund të bëhen. Arsyeja e parë që të vjen në mend për të shpjeguar rezultatin modest të LSI-së në 2005-ën është se udhëheqësi i saj, pavarësisht se i ri në moshë, ishte një veteran në politikë.
Dhe, sado i suksesshëm mund të kesh qënë si politikan, pjesëmarrja e gjatë në majat e politikës ta konsumon emrin.Ndryshe ishte puna me Berluskonin apo Simeonin. Ata kishin qënë biznesmenë të suksesshëm që u futën në politikë si “të jashtëm”.Të cilët i thanë “MJAFT!” gjithë klasës politike ekzistuese. Dhe ishte pikërisht statusi i “të jashtmit” që i bëri partitë e tyre të arrinin një ngjitje meteorike vetëm 4 muaj pas themelimit.
Duke parë LSI-në e kohëve të fundit, mund të vësh re se strategjia e saj mbetet e ngjashme me atë që ndoqi kur në krye të PS-së ishte Nano. Sulmohet Kryetari i PS-së për korrupsion dhe butësi ndaj Berishës, me synim që elektorati i majtë të orientohet drejt LSI-së, partisë që udhëhiqet nga ish-Kryeministri më i suksesshëm i së majtës.
Por problemi i kësaj strategjie është se, përderisa nuk pati sukses në 2005-n (kur kontrasti mes kryetarëve të PS-së dhe LSI-së ishte aq i madh), si mund të ketë tani, kur Kryetar i PS-së është Edi Rama, kryebashkiaku më i sukseshëm i së majtës? Për sa kohë që Rama, me një siguri absolute (njësoj si para zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës), po i garanton të majtët për fitoren e PS-së në 2009-ën, është shumë vështirë që strategjia e erozionit që aplikon LSI-ja të funksionojë.
Në fakt, nga një sondazh që kam pasur fatin ta dizenjoj, ekzekutoj dhe analizoj, më rezulton se përkrahësit e LSI-së nuk janë shtuar në numër që prej shkurtit të 2007-ës, apo prej korrikut të 2005-ës, pavarësisht nga konventat super të kushtueshme që financon Ilir Meta. Dhe mendja ma do se të njëjtën gjë tregojnë edhe sondazhet konfidenciale që komisionon periodikisht Edi Rama.
Në këto kushte, duket pak e çuditshme këmbëngulja e Ramës që LSI-ja të mos ketë përfaqësues në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore. Sepse pavarësisht se kush do t’i numërojë votat, ajo një parti minore do të mbetet. Ndërsa duke e lënë jashtë disa komisioneve, i jepet material Metës për t’i thënë elektoratit të majtë se Rama i trembet LSI-së...