Obama fton MecCain, të punojnë bashkë

Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama dhe ish-rivali i tij republikan, John McCain janë takuar për herë të parë që pas zgjedhjeve të 4 nëntorit, duke u angazhuar të punojnë së bashku për të përballuar krizën financiare dhe sfida të tjera kombëtare. "Ne do të punojmë së bashku për të rregulluar vendin", tha Obama duke falenderuar Mekejnin për shërbimin e tij të shquar ndaj vendit. Mekejn, kur u pyet nëse mendonte ta ndihmonte presidentin e zgjedhur demokrat u përgjigj: 'Sigurisht'. Obama e ka kaluar këtë periudhë pas fitores duke planifikuar tranzicionin për në Shtëpinë e Bardhë dhe duke u menduar për kandidatët e kabinetit të tij pasi të marë detyrën nga presidenti i deritanishëm republikan, Xhorxh Bush më 20 janar. Ai është angazhuar se do të përfshijë republikanë në administratën e tij si dhe ish-rivalë demokratë, ndër të cilët senatoren e Nju Jorkut, Hillari Klinton, që flitet se do të merret në konsideratë për postin e sekretares së Shtetit. Mekejnit, senatorit republikan të Arizonës, ka pak të ngjarë të dojë ose t'i ofrohet një post në administratë. Ish- i burgosuri i luftës së Vietnamit e kritikoi ashpër Obamën gjatë fushatës për moseksperiencën e tij në fushën e politikës së jashtme, politikat për rritjen e taksave dhe për shoqërim me një ish-radikal të viteve 1960. Obama, nga ana e tij e akuzoi Mekejnin se kishte planifikuar të çonte më tej politikat jopopullore të Bushit. Mekejn shoqërohej në takim nga miku i tij i ngushtë dhe kolegu senatori Lindsey i Karolinës së Jugut. Ndërsa Obama shoqërohej nga shefi i tij i stafit, Rahm Emanuel nga Ilinoisi.