Obama fyen Pejlin: Një derr me buzëkuq
VIRXHINIA- Sulmi më i "dhunshëm" i kandidatit presidencial demokrat, Barak Obama, ndaj çiftit republikan ndodhi dje në Virxhinia. "Premtimet e ndryshimit të John McCain e Sarah Palin janë njësoj si vendosja e buzëkuqit në buzët e një derri". Kandidati demokrat nuk ka hezituar aspak të fyejë rëndë kandidaten republikane për zëvendëspresidenti, duke theksuar se "demokratët mbartin ndryshimet e vërteta". "Ndërsa premtimet republikane janë të vakëta", - tha ai. "Ju doni të bëni ndryshime? Atëherë është njësoj si të lyesh me buzëkuq një derr", - shtoi ai. "Mund të mbështillni një peshk të vjetër me letër dhe ta quani ndryshim. Por duhet ta dini se do të ketë gjithnjë erë të keqe", - tha Obama. Menjëherë ka mbërritur përgjigja nga kampi republikan. "Senatori i Ilinoisit shqiptoi fjalë që më duken të neveritshme, duke e krahasuar kandidaten për zëvendëspresidente me një derr", - tha ish-guvernatori i Masaçusets, Jane Swift, duke i bërë thirrje Obamës të kërkonte falje. Menjëherë pas kësaj, kandidati demokrat e shpjegoi batutën e tij për buzëkuqin, duke theksuar se ajo i referohej programit dhe jo zëvendëskandidates për presidente. "Republikanët i nxorën fjalët e mia jashtë kontekstit", - tha ai, duke kritikuar kampin rival se po përpiqet të përdorë çdo gjë për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vërteta të vendit. pavarësisht nga "konfliktet" e fundit me kampin republikan, kandidati demokrat për kreun e Shtëpisë së Bardhë Barack Obama kryeson ndaj republikanit John McCain me 47 përqind kundrejt 46 përqind bëri të ditur sot një sondazh i NBC News/Street Journal. (a.r/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)