Pinjollja arbëreshe martohet me fustanin 6-shekullor
KOZENCA- Ka mbetur legjendë jo vetëm për familjen Argondica, por për të gjithë zonën e Vakarixo Albanese në provincën e Kozencës, fustani që kjo familje trashëgon. Nuk dihet saktësisht sa i vjetër është, por i vetmi informacion që kanë për të, tregon se është sjellë në Itali rreth 6 shekuj më parë nga familja e Argondicajve. Pinjolli i kësaj familjeje, Xhorxho Argondica tregon për “Gazeta Shqiptare”, historinë e fustanit të qëndisur me flori dhe rrëfen se si e veshi në ditën e dasmës këtë fustan kushërira e tij, Rafaela. Me një shqipe që tingëllon si nga jugu i Shqipërisë së sotme, ai shprehet se ky fustan ka qenë gjithmonë kuleta e ëndrrave të tija fëmijërore. “Sa e sa herë, - shprehet ai, - më ka kapur gjyshja tek hapja baulen për ta parë; në ato kohë ishte fustani që më lidhte me një botë të panjohur, me Arbërinë e të parëve të mi. “Gjyshja ime më tregonte shpesh baulen dhe më thoshte se aty brenda ndodhej çelësi i gjakut tim, domethënien e kësaj shprehjeje e kam kuptuar shumë vonë”, - tregon Xhorxho, djali i madh i familjes Argondica. Nuk di shumë për këtë thesar që kam në dorë, por kuptohet lehtësisht se familja e të parëve të mi ka qenë një familje e pasur. Ato pak gjëra që jam në dijeni, janë se familja ime ka ardhur këtu në kohën e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe me vete solli këtë fustan, që është një veshje gala e asaj epoke”. “Së bashku me fustanin, trashëgoj nga familja ime, - tregon 39-vjeçari, - disa varëse floriri dhe vëth me të vërtetë të punuar shumë bukur, me një stil shumë të rrallë”.
Aldo Marino, kryetari i Komunës së Vakarizo Albanese tregon për gazetën se nga të gjitha veshjet dhe reliket e trashëguara, fustani i Argondicajve është më i vjetri dhe më i veçanti. Kryetari Marino shprehet shumë i kënaqur me vendimin e vëllezërve Argondica, që fustani prej tri vitesh të përdoret nga muzeu dhe të shijohet nga të gjithë vizituesit e kësaj zone.
Fustani
Nëse do të ndodhte që ta shikoje në një vitrinë dyqani, nuk do ta kuptoje kurrë se është stiluar dhe qepur rreth 600 vjet më parë, por ka stil dhe hijeshi, gjë që e bën të ndryshme nga një veshje e markës së kohëve të sotme. Është një fustan i veçantë, që çdokujt do t’i vinte dëshira ta provonte në trup në momentin që do ta shikonte të veshur në manekinin e muzeut të Vakarixos. “Stili i kësaj veshjeje, më kanë treguar se përqas me ato të grave ilire, që ndodhen në muzeun e Tiranës, por unë kurrë nuk i kam parë, - tregon 39-vjeçari Xhorxho Argondica. “Pjesa e sipërme e fustanit është e bardhë me flutura të mëdha, ndërkohë që pjesa e fundit ngjan me një fustan të viteve 1800. Në krye hidhet hijshëm një vello e tëra e thurur me ar. Është ky fustani, që familja e Argondicajve trashëgon për shekuj me radhë. Fustani nuk është restauruar asnjëherë dhe aktualisht ndodhet në muze. Nuk është i vetmi fustan arbëresh në zonën tonë, - tregon kryetari i Bashkisë së Vakarizos Albaneze, avokati Aldo Marino. - Por ky fustan është më i veçanti; që nga momenti që e kam parë për herë të parë, jam mahnitur dhe sa herë që e shikoj, më duket sikur zbuloj diçka të re në të”, - tregon ai.
“Nuk kam pasur fat që im atë të rronte shumë dhe të më tregonte çfarë dinte; ai na la të vegjël, mua dhe tim vëlla, - tregon Xhorxho. - Ato pak gjëra që kam mësuar, më kujtohen nga gjyshja, por dhe ajo vdiq kur unë isha vetëm 5 vjeç. Gjithmonë do të kem dëshirë të di se nga janë rrënjët e prejardhjes sime, dhe pse jo, të shkel aty ku të parët e mi kanë jetuar”, - përfundon ai.
Dasma
Mund të ndodhë shpesh në ditët tona, që një nuse kur martohet, të veshë fustanin e nënës ose të gjyshes, por që të vishet me një fustan 600 vjet të vjetër, nuk është dëgjuar kurrë. Rafaela Argondica, pinjolle e familjes arbëreshe të Argondicajve, ka bërë realitet ëndrrën e saj të fëmijërisë, të veshi në ditën e dasmës fustanin e vjetër që trashëgon familja e saj. “Në fillim, të gjithë mendonin se isha e marrë që kërkoja diçka të tillë, por kur më panë me fustanin veshur, ndërruan mendim”, - tregon ajo. “Bashkëshorti im Marko, është edhe ai arbëresh dhe më ka mbështetur në vendimin tim. Tashmë kanë kaluar dy vite nga dasma jonë, por ajo ditë do të ngelet speciale më shumë për faktin se vesha një fustan ndryshe nga nuset e tjera. U ndjeva me të vërtetë pjesë e kalvarit arbëresh të familjes sime”, - përfundon 32-vjeçarja Rafaela Argondica.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)