E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Obama" i Roterdamit

Kryetari i Bashkisë së Roterdamit po bënte atë që bëjnë kryetarët e bashkive. I veshur trashë e me çizme të rënda përshkoi gjithë ambientet e stacionit qendror hekurudhor të qytetit, i gjithi i ngrirë nga i ftohti e plot baltë, për shkak të punimeve në vazhdim e sipër. Bëhet fjalë për një kontroll personal të autoritetit më të lartë të qytetit.

Por Ahmed Abutaleb nuk është kryetar i zakonshëm bashkie. Si emigranti i parë që ulet në një post të tillë në Holandë, përbën një rast unik. Ka marrë në dorë frerët e Roterdamit, portit më të madh në Evropë, por njëherësh edhe pikë ku shkrihen një mori kulturash.

Deri në vitin 2020, llogaritet që 600 mijë banorë të këtij qyteti të jenë me origjinë emigrantësh. Roterdami njëherësh është edhe qyteti që i dha Holandës Pim Fortuyn, liberalin e njohur, politikanin populist, i akuzuar për islamofobi nga kritikët dhe i vrarë nga një aktivist i të drejtave të kafshëve para shtatë vjetësh.

Trashëgimia e Pim Fortuyn është një parti e djathtë, që përdor retorikë tepër të ashpër kundër emigrantëve, të cilët tashmë përbëjnë jo pak, por një të tretën e votuesve të qytetit. Askush nuk e vë në dyshim bastin e fortë që ka vënë me veten Ahmed Abutaleb, as edhe ndryshimet e mëdha që pritet të sjellë ngjitja e tij në këtë post: në mënyrë të pashmangshme është pagëzuar "Obama i Maas" (lumit), prej një analisti të njohur holandez.

Bir i një predikuesi të fesë myslimane nga Maroku, Ahmed Abutaleb u vendos në Holandë në moshën 15-vjeçare (sot është 47 vjeç). Në intervistën e parë si kryetar bashkie i tha gazetarit të britanikes "Observer" në një intervistë, se shpresonte të gjykohej nga rezultatet dhe jo prej "origjinës apo ngjyrës së lëkurës".

Në intervistë vërejti: "Puna ime është të ndërtoj ura dhe Roterdami është një vend i shkëlqyer për ta bërë këtë. Ky është qyteti i projekteve të mëdha, ku kufi i vetëm është qielli, por njëherësh edhe një metropol me nivele të larta varfërie. Puna ime është të jem kryetari i bashkisë së gjithkujt, nga biznesmeni i pasur, te fëmija nga Surinami që përpiqet vetëm të sigurojë jetesën".

Nga ana tjetër ushqen pak iluzione: "Janë të shumtë ata që presin të dështoj". Gert Vilders, një politikan i djathtë me histori të gjatë provokimesh pas supeve, ka thënë se Ahmed Abutaleb duhet të jetë "kryetari i Bashkisë së Rabatit", kryeqytetit të Marokut. Ndërkohë që vetë kryetari i bashkisë e mendon ndryshe: "Në rast se do arrij të kem sukses, do shërbej si një moment kyç për të siguruar emigrantët, se edhe ata mund të arrijnë në rangjet e larta të pushtetit; në rast dështimi, pasojat për ata që mendojnë se jam në rrugën e duhur do të jenë të mëdha".

Rrugëtimi i Ahmed Abutaleb deri në postin e kryetarit të bashkisë së një qyteti kaq të rëndësishëm është një provë e qartë e përmirësimit të raporteve racore në komunitetin holandez, që prej ditëve të vështira që pasuan vrasjen e politikanit Fortuyn dhe atë të regjisorit Teo van Gog prej një myslimani në vitin 2004. Por majori është larg të qenit një politikan liberal klasik nga Holanda. Mesazhi i tij për emigrantët është: "Mjaft e patë veten si viktima dhe në rast se nuk doni të integroheni, largohuni".

"Kjo nuk ka të bëjë me faktorët etni apo besim", thotë Dominik Shrijer, këshilltar për çështjet shoqërore dhe të punësimit në bashkinë e qytetit. "Në shënjestër është varfëria dhe lufta kundër saj. Për të mirën e të gjithëve, emigrantët duhet të mësojnë çfarë është e s‘është e pranueshme dhe për këtë duhet të përpiqemi të gjithë".

Historia politike e viteve të fundit në Roterdam ka qenë e trazuar. Në vitin 2002, pas dekadash të tëra dominimi të padiskutueshëm të Partisë së Punës, rregulli u thye kur partia e politikanit të djathtë, Fortuyn, fitoi disa bashki në zgjedhjet lokale, duke u mbështetur në platforma kundër emigracionit. Vrasja e tij pak kohë më pas, ashtu si ajo e regjisorit Van Gog, hapi shumë pikëpyetje në Holandë. Me kalimin e kohës kjo forcë e djathtë e humbi mbështetjen, por gjithsesi sot numëron 15 vende në këshillin e qytetit.

Ronald Sorensen, lideri aktual i partisë së Fortuyn (Partia Leefbar), thotë se kjo forcë politike iu kundërvu me të gjitha forcat Abutalebit, i cili vitet e para të karrierës politike i zhvilloi në Amsterdam. "Shumë zona të qytetit janë zënë tashmë nga të huajt. Të gjithë ata banorë që e kanë parë qytetin t‘i nënshtrohet këtij ndryshimi të keq e kanë problem kryetarin e ri të bashkisë, pasi ndiejnë se qyteti u ka shkarë tërësisht nga duart", thotë ish-mësuesi. Por bashkohet me kryetarin e bashkisë për sa i përket linjës së fortë që ndjek ky i fundit lidhur me integrimin e emigrantëve: "Po të shpreheshim ne me ato fjalë që përdor ai, do na quanin racistë".

Në fakt, statistikat e fundit janë relativisht pozitive. Profesori Jan Laten i Byrosë Qendrore Holandeze të statistikave thotë se, megjithëse janë ende prapa, emigrantët e brezit të dytë po arrijnë rezultate më të larta në fushën e edukimit dhe po punësohen në punë më të mira nga më parë. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë syresh po mësojnë të flasin gjuhën vendase dhe po "krijojnë lidhje emocionale me Holandën".

Gjithsesi, procesi është i gjatë. Sipas Edvin Huizing, drejtor i këshillit për refugjatët, "ndryshimet do të vijnë vetëm me ndërrimin e brezave". Muhamed Bibi, drejtor i Shoqatës së Emigrantëve të Roterdamit, shpreson "për një shoqëri të bukur multikulturore në qytet, ku ka vend për të gjithë, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, përkatësisë etnike, apo orientimit seksual".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›