E Diel, 1 Nëntor 2026

Parku Arkeologjik i Orikut, gati strategjia në funksion të turizmit

Gjatë vitit 2009, qyteza antike e Orikut, 25 km në jug të Vlorës, do të shndërrohet në një objekt me vlera të veçanta, në funksion të zhvillimit të turizmit. Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik Amantia-Orikum, Gëzim Llojdia, është shprehur se përmes një strategjie të veçantë, Oriku do të konceptohet jo vetëm si një mjedis antik, që përfaqëson një nga periudhat më të vjetra të historisë së zonës dhe të rajonit, por edhe si një qytezë e rëndësishme në raport me një sërë objektesh të tjera arkeologjike, kulturore e historike. Në këtë mënyrë do të ridimensionohen vlerat e Orikut, në funksion të zhvillimit të burimeve turistike. Sipas tij, synimi kryesor për vitin 2009 është shndërrimi i Orikut në një nga objektet më të rëndësishme në bregdetin jugor, në rivierën shqiptare, në funksion të zhvillimit të turizmit. Për këtë është hartuar dhe po nis gradualisht zbatimi i një strategjie, ku përfshihen të gjitha elementet që do ta transformojnë këtë qytezë në një befasi për zonën. Mes të tjerash, Oriku pritet të kthehet në një mjedis të vërtetë turistik, ku do të zhvillohen turizmi i rërës dhe diellit, ai sportiv, rural, gjeokulturor-historik, etj. Në zonën ku ndodhet qyteza e Orikut janë edhe një sërë objektesh të tjera, historike, kulturore, natyrore, të cilat do të integrohen mes njëra-tjetrës, për të krijuar një formacion vlerash. Qyteza antike e Orikut, si pjesë e Parkut Kombëtar Arkeologjik Amantia-Orikum, është një nga objektet më të rëndësishme të këtij lloji në rajonin e Vlorës. Ai është përfshirë në dy nga 11 itineraret që ka publikuar Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë, të cilat janë: Butrint-Borsh-kalaja e Ali Pashës -Qafa e Qezarit-parku arkeologjik Orikum dhe parku arkeologjik Butrint-Vivar-Borsh-kalaja e Ali Pashës (Himarë)-Parku arkeologjik Orikum. Dihet se qyteti mendohet të jetë ndërtuar nga eubeasit kolonë, në territorin e banuar nga fisi ilir i Amantëve dhe i ka fillimet në shekullin VI para Krishtit, kur ai njihej me emrin Jeriko.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›