E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusët "pushtojnë" Amerikën Latine

Kryqëzori, që për pesë ditë rresht para Krishtlindjeve kubanët e vëzhguan kureshtarë nga trotuaret e "Malcon"-it, mori emrin e admiralit rus Chabanenko. Ishte ajo anija e parë luftarake që kaloi Kanalin e Panamasë, që nga koha e rënies së Bashkimit Sovjetik dhe e para që shkeli ujërat e Karaibeve nga kriza e raketave në vitin 1962. Mos ndoshta ky është mesazhi për fillimin e një lufte të re të ftohtë? Janë të shumtë ata që mbështesin idenë, se ky është një sinjal për Amerikën, në kufijtë e brigjeve të tyre, më pak se 150 kilometra më në veri. Nga Moska thonë se Kryeministri Vladimir Putin, më shumë se Presidenti aktual Dimitrij Medvedev, ka reaguar me "një irritim thuajse personal" ndaj asaj që e konsideron "provokacion" të administratës "Bush": këmbëngulja për zgjerimin e NATO-s në Lindje (në veçanti ajo që i shqetëson më shumë është hipoteza për anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës), marrëveshja për mburojën anti-raketë në Poloni e në Republikën Çeke dhe mbështetjen e Tbilisit në krizën e gushtit në Osetinë e Jugut. Reagimi i Moskës ka qenë kërcënues në atë që Kisinger e përshkroi si "kopshti i shtëpisë" së SHBA-së: stërvitje të përbashkëta ushtarake me Venezuelën në fund të nëntorit, të drejtuara nga Kryqëzori bërthamor "Pjetri i Madh II"; tri anije ruse që kalonin detin e Karaibeve në prag të Krishtlindjeve. Me një bagazh fotosh të bukura me liderë të ndryshëm amerikano-jugorë (mes të tjerave edhe Presidentja e Argjentinës, Kristina Kirshner, që në vizitën në Moskë kishte vendosur një kapele me lëkurë dhelpre, dhuratë e Medvedevit që ia pati sugjeruar Çavezi), dhe me "lider maximo" Fidel Kastro, që u rishfaq pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore (i kaloi pushtetin të vëllait Raul) për të mos munguar në inaugurimin e Katedrales Ortodokse Ruse në Havanë. Kjo ishte një përgjigje "skenografike" për Xhorxh Bushin dhe mesazh për Presidentin e ardhshëm. "Lëvizjet e mëdha gjeopolitike të Rusisë janë gjithmonë të lidhura me interesat financiare private", shpjegon me telefon nga Uashingtoni ekonomisti Moises Naim, ministër i Tregtisë në Venezuelën para Çavezit dhe prej shumë vitesh drejtor i revistës "Foreign Policy". "Ekspansioni i fundit i Rusisë në Amerikën Latine është motivuar nga kërkimi i klientëve për eksportin e armëve. Gjithçka tjetër është veçse një zbukurim i këtij motivi". Një prani e përhershme ushtarake ruse në tokën latino-amerikane duket një hipotezë e pamundur. "Me afat të gjatë do të kishte kosto të palejueshme dhe një përfitim të pasigurt", përfundon Naim. Vetë Putini qartësoi në bisedën e tij një ditë pas fitores së Obamës, se Moska nuk ka ndërmend të krijojë baza detare në hemisferën perëndimore. As partnerët amerikano-latinë nuk kanë dëshirë ta replikojnë skemën dypolare të luftës së ftohtë. Ta shohësh nga Jugu, afrimi rus (pas qetësisë që pasoi rrëzimin e Bashkimit Sovjetik) shihet si një sinjal i "ndreqjes" të hartës së botës gjeopolitike. Kështu shprehet Edgardo Lander, sociologu i njohur venezuelas, studiues i globalizimit dhe bolivarist: "Tashmë homogjenia e SHBA-së është vënë në diskutim. Rritja e Kinës, Indisë dhe Brazilit, rënia e çmimit të naftës, kriza ekonomike, gjithçka është pjesë e një procesi të lehtë riekuilibri raportesh në fushën ekonomike, financiare e teknologjike. Dominimi i Amerikës është vetëm ushtarak dhe kulturor (sidomos përmes kinemasë së Hollivudit dhe televizioneve satelitore). Në fushat e tjera është një situatë në evolucion, që do të përfundojë gjatë viteve në vazhdim". Nga ky këndvështrim, nuk janë vetëm Putini dhe Medvedevi që kërkojnë të hyjnë në kontinent. Janë vetë latino-amerikanët që po eksperimentojnë një autonomi të re nga Veriu dhe kërkojnë të mbledhin "aleatë". "Kur disa vite më parë Çavezi tentoi të rinovonte flotën ajrore, në veçanti gjuajtësit F-16, u përball me "jo"-në e Shteteve të Bashkuara, që deri në atë kohë kishte qenë furnizuesi i parë i pajisjeve ushtarake venezuelase", vazhdon Lander. Edhe nga Brazili e Spanja shitja ishte bllokuar, sepse avionët gjuajtës ishin montuar me pjesë të bëra në SHBA. "Gjithsesi, Çavezi kërkoi në gjithë tregun ndërkombëtar dhe gjeti Moskën". Për Venezuelën, Moska u shndërrua në një prej klientëve më të rëndësishëm: 4.4 miliardë dollarë të shpenzuara për armët ruse nga viti 2005 deri më 2007-ën dhe një miliard dollarë për marrëveshjet e sapolidhura. Më tepër se një nostalgji për revolucionin kuban, apo atë sandinist, kujtimet e përbashkëta me ish-luftëtarët e vendeve të andeve, apo simpati për liderët e rinj të shquar, rikthimi i Rusisë në oborrin e brendshëm të SHBA-së i përgjigjet një thirrjeje për një rrugëdalje që është hapur së fundmi. "Një hapësirë që është lënë e lirë nga Shtetet e Bashkuara (me venitjen përfundimtare të doktrinës "Monro", përmes së cilës Evropa ka pasur shumë lëkundje (përveç vendeve nordike). Ja si e shpjegon një burim amerikano-jugor i një organizate ekonomike të rëndësishme ndërkombëtare: "Nuk është vetëm interesi i Rusisë. Kriza ekonomike krijon një hapësirë për të bashkëpunuar mes vendeve në zhvillim. Është kushti për të negociuar marrëveshje të reja", vazhdon më tej eksperti, që preferon të mbetet anonim.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga ajo që ka theksuar Presidenti brazilian Inácio Lula da Silva në mbledhjen e vendeve ekonomike më të zhvilluara ("Bric", Brazili, Rusia, India dhe Kina): "Kriza, që ka lindur në vendet e pasura, është një mundësi për vendet në zhvillim, të cilat janë përgjegjëse të 60 përqindëshit të rritjes botërore". Në këtë kontekst, Amerika Latine do të ishte shumë tërheqëse, sepse "kemi treguar se ekonomia jonë është ‘më e shëndetshme‘ (krahasuar me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën), që ka mësuar nga gabimet e së shkuarës", shton burimi i organizatës ndërkombëtare. Gjithashtu, Amerika Latine ka edhe burime të rëndësishme. Nuk është një rastësi që u ngjall një interes të fortë e konkret kinezëve. Nëse Rusia i shet armë dhe bën marrëveshje, sidomos në sektorin e energjisë dhe teknologjisë, atëherë Pekini do të "vijë" në Amerikën Latine për prodhime të tjera, siç është soja. "Rritja e madhe ekonomike e Kinës - shpjegon sërish studiuesi venezuelas Lander - ka shtuar një tjetër problem, atë të lëndëve të para, që Pekini i kërkon nga Afrika (minerale, energji) dhe Amerika Latine (bujqësi)".

Për të parën herë, qeveria kineze ka identifikuar hapur në jug të kontinentit Amerikan një objektiv strategjik: "Është një pjesë e rëndësishme e botës drejt zhvillimit, që ofron mundësi të reja". Nëse volumi i materialeve kineze në Amerikën e Jugut në vitin 2000 arrinte në 10 miliardë dollarë, në 2007-ën i kalonte 103 miliardë dollarë, me premtimin që nga viti në vit do të rritej edhe më shumë. Për kapitullin e ardhshëm do të ketë materiale me bollëk.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›