“Shqipëria është në kohë për vizat, qeveria “Berisha” ka treguar vullnet për reformat”

Instituti ESI me qendër në Bruksel vlerëson progresin e vendit drejt aderimit në zonën e lëvizjes së lirë “Schengen”
Instituti Evropian për Stabilitet (European Stability Initiative), institucion kërkimor në fushën e politikave, me synim promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Europë, vlerëson se për Shqipërinë ka ardhur momenti që të përfitojë liberalizimin e vizave. Përmes një raporti të detajuar ESI thekson se gjatë verës së sivjetme, Shqipëria i kishte marrë gjërat disi më me ngadalë, për shkak të zgjedhjeve të Qershorit 2009.
Sipas konstatimeve të ESI, më 29 Korrik 2009, Qeveria miratoi një Plan Veprimi me afate kohore ambiciozë por gjithsesi realist, për përmbushjen e kushteve të mbetura të Udhërrëfyesit; ndërsa, më 16 Shtator, Qeveria e re u zotua të bëjë të mundur “lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën ‘Shengen’ brenda vitit të parë të mandatit qeverisës”.
“Ky objektiv në Shqipëri u “përkthye” me shpejtësi në veprimtari të bashkërenduara për realizimin e kërkesave të mbetura. Gjatë periudhës tetor - nëntor, ESI-ja (Nisma Europiane për Stabilitet) dhe organizata e tyre partnere, kanë analizuar raportet mbi gatishmërinë e qeverisë, të përditësuara rregullisht në datat 30 Shtator, 23 Tetor dhe gjatë muajit nëntor. Ashtu si në rastin e Bosnjës, ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim domethënës, afërsisht në të njëjtin nivel zbatimi që Serbia dhe Mali i Zi kishin arritur në Maj 2009”, thuhet në vlerësimin e përgjithshëm të Institutit Evropian për Stabilitet. “Fatmirësisht, ky përparim është njohur nga Parlamenti Europian, Shtetet Anëtare të BE-së (shihni Deklaratën që i bashkëlidhet Opinionit të Parlamentit Europian të 12 Nëntorit) dhe Komisionit Europian. Në Dhjetor 2009, Komisioni planifikon të dërgojë misione ekspertësh nga vendet anëtare të BE-së në Shqipëri dhe në Bosnje – Hercegovinë për vlerësimin e përparimit të bërë lidhur me Bllokun 1, ndërsa misionet e tjera të vlerësimit do të dërgohen në fillim të vitit 2010. Me plotësimin deri atëherë të të gjitha kërkesave nga ana e Shqipërisë dhe Bosnje – Hercegovinës, qytetarët e tyre do të mund të përfitojnë nga lëvizja pa viza, duke filluar nga muaji Korrik 2010”, nënvizon në raportin e detajuar mbi liberalizimin e vizave institucioni kërkimor në fushën e politikave ESI.
ESI (European Stability Initiative) është një institucion kërkimor në fushën e politikave, me synim promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Europë. I krijuar në vitin 1999, ky institut mbledh analistë dhe prakticienë me eksperiencë në rajonin e Europës Juglindore.
Që prej vitit 2008, ESI është zbatues i projektit “Lista e Bardhë ‘Schengen’ për vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ky projekt synon të kontribuojë në eliminimin e sistemit të vizave për vendet e rajonit, bazuar në vlerësimin e progresit të vetë vendeve në plotësimin e detyrimeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Bashkë-kryetari i Bordit Këshillimor të Projektit është ish-Kryeministri italian Giulio Amato.