E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama injoron Klintonin

1

Kampi i Hillari Klintonit është shumë i zemëruar me atë që e sheh si akt injorimi nga Barak Obama, i cili ka emëruar një ish-punonjëse të zonjës Klinton në një vend kyç në ekipin e tij zgjedhor.

Një burim i afërt me zonjën Klinton ka thënë se një hap i këtillë i senatorit Obama është gjemb në sy për ish-rivalen e tij, me të cilin realisht është përjashtuar mundësia që Hillari Klinton të kandidojë për postin e nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo përplasje pason vetëm dy javë pas bisedimeve që Obama dhe Klinton zhvilluan në Uashington pas përfundimit të garës së gjatë dhe të ashpër midis tyre për të fituar kandidaturën e Partisë Demokrate për President të Shteteve të Bashkuara.

Pas këtij takimi, tërësisht privat, asnjëri prej tyre nuk ka folur publikisht për temat e bisedimeve, por emërimi i fundit në ekipin e Obamës tregon se takimi ka dështuar në riparimin e marrëdhënieve midis tyre.

Bëhet fjalë për Pati Solis Dojll, ish-menaxheren e fushatës zgjedhore të zonjës Klinton, të cilën senatori Obama e ka emëruar si shefe kabineti për kandidatin e nënpresidentit në zgjedhjet e nëntorit.

Pas dështimit për të fituar kandidaturën presidenciale nga radhët e demokratëve, zonja Klinton ka synuar postin e nënpresidentit, por deri më tash senatori Obama ka nguruar t'ia ofrojë.

Ndryshe, zonja Klinton e ka shkarkuar nga puna zonjën Solis Dojll në fillim të këtij viti, duke e fajësuar atë për keqmenaxhim të fondeve dhe për injorim të zonave zgjedhore, të cilat dëshmuan të jenë vendimtare për fitoren e zotit Obama.

Sidoqoftë, qëndrimi zyrtar i zotit Obama për pozitën e nënpresidentit është se askush ende nuk është përjashtuar nga hulumtimet për të gjetur kandidatin nënpresidencial.

Por, ekipi i Obamës nuk e do emrin e zonjës Klinton në tiketë, me gjithë 18 milionë votat që ajo ka grumbulluar, nga droja se ajo dhe i shoqi mund të përqafojnë një qasje ndarëse, në përpjekje për të funksionuar si forcë alternative përbrenda Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshe, senatori demokrat Barak Obama do të garojë kundër atij republikan, Xhon Mekejn në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe sondazhet e fundit flasin se Obama udhëheq me 48 për qind kundër Mekejnit me 42 për qind.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›