E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti duhet inkurajuar të kërkojë ndjesë



Presidenti Bamir Topi humbi dhe mundësinë e fundit, dje të paktën, t’i shmangej një veprimi aspak të ndershëm që kreu me dekretimin e pesë emrave të dyshimtë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Presidenti i Republikës u shpreh se emrat ishin përzgjedhur në mënyrë korrekte dhe se ish-të përndjekurit politikë kishin dhënë mbështetje për dekretimin e tyre. Është pak e çuditshme se me çfarë guximi Presidenti Topi merr përsipër kusuret e disa gjyqtarëve me një të shkuar të errët dhe kriminale në kohën e sistemit komunist, duke i shitur ata edhe si të ardhur nga shtresa e të persekutuarve.

Zamir Poda, i cili për shkak të një vote mund të na ishte anëtar i Gjykatës së Lartë për herë të dytë, pavarësisht se ligji këtë nuk e lejon, ka qenë drejtor juridik i Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1992. Përpos kësaj, ky gjyqtar ka shqyrtuar edhe një seri çështjesh politike duke çuar në litar viktima të pafajshme, që na akuzoheshin sa herë i tekej sistemit të nxirrte armiq të socializmit. Babai i gjyqtarit Poda ka qenë po ashtu një ish-ushtarak i lartë i sistemit komunist dhe i betuar për të mbrojtur atë sistem.

Nuk ia vlen të marrim një nga një emrat e tjerë të propozuar nga Presidenti Topi, paçka se faktet flasin për veprime që vetëm një njeriu të ligjit nuk i shkojnë. Madje, njëri prej tyre ka liruar edhe vrasësin e një kolegut tonë të vrarë dhe gazetarët duhen të kenë pak dinjitet dhe t’i tregojnë shoqërisë se cila është fytyra reale e emrave të propozuar nga Presidenti Topi. Nuk është se mund të thuhet me siguri se Presidenti Bamir Topi ka qenë në dijeni të fakteve rreth këtyre emrave, por të paktën ai kishte në dorë një mundësi tjetër: të heshtte pas një gafe të madhe që kreu dhe të mos provokonte edhe më tej ndjenjat e mijëra të persekutuarve, të burgosurve e të pushkatuarve nga sistemi që mbanin në këmbë zotërinjtë e propozuar për institucionin më të lartë të gjyqësorit.

Presidenti duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos shfrytëzojë bon sensin që ka treguar klasa e të përndjekurve gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit, paçka se shpeshherë janë nëpërkëmbur edhe nga vetë ata që i kanë votuar. E gjithë kjo nuk ka lidhje shumë me politikën, procedurën, parimin, por me njerëzoren, me të moralshmen, me të drejtën. Nuk është njerëzore ta shesësh kriminelin për të ndershëm. Nuk është e moralshme që persekutorin ta dekretosh kryepersekutor. Nuk është e drejtë që vuajtjet e mijëra njerëzve të shpërblehen me vuajtje të tjera.

Presidenti i Republikës e di fare mirë se shoqëria shqiptare, e veçanërisht politika, ka një detyrim të madh ndaj atyre njerëzve që dhanë jetën, masakruan familjet e tyre, për shkak të një parimi të madh, lirisë. Ata që duan lirinë, janë luajalë, por kjo nuk duhet marrë për dobësi. Ne nuk çuam asnjëherë në vend dinjitetin e tyre; ne si shoqëri nuk gjetëm forcën në asnjë moment për të dënuar solemnisht krimet makabre të komunizmit; ne nuk shpërblyem asnjëherë vuajtjet e tyre që na sollën në këtë moment kur mund të flasim e jetojmë lirshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›