E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, pronat dhe fshati



Dikush guxon të akuzojë turizmin shqiptar se ka ngecur për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Nuk është aspak kështu. “Sallata ruse” me pronat pengon zhvillimin në çdo degë të ekonomisë (në radhë të parë në bujqësi). Sigurisht që edhe turizmi, kur vjen puna për investime kapitale në të, e ndien. Por të thuash se pronat kanë paralizuar industrinë më të suksesshme të vendit sot je tejet larg së vërtetës. Turizmi ka jo vetëm 21 për qind të ardhur (vizitorë) më shumë këto pesë muajt e parë të vitit. Ai po përjeton ngritjen më parabolike të mundshme, me shumë kureshtarë për të njohur vendin tonë nga SHBA-ja dhe Kanadaja. Kjo nuk duhet të na vërë në fidanë, edhe pse deri tani kemi ritmin e rritjes së numrit të vizitorëve (pra, dhe të turistëve) më të shpejtë në Evropë. Turizmi është një industri sa fitimprurëse, aq edhe delikate. Mjafton të mos japësh shërbesat e duhura, të zhgënjesh klientelën dhe një vit më vonë e gjen veten në greminë. Kështu i ndodhi Lituanisë me turizmin seksual (fama e keqe e të cilit “vrau” turizmin kulturor dhe me bazë natyrën në këtë vend). Duhet të kemi kujdes mos të na ndodhë edhe ne me nivelin tepër të ulët të shërbimeve turistike që mund të ofrojmë, si dhe me pirgjet e plehrave anash rrugëve kryesore kombëtare dhe fare pranë pikave “të nxehta” turistike. Këtë vit pritet të thyhen rekordet e të ardhurave nga kjo industri. Me siguri ato do ta tejkalojnë shifrën e një miliard eurove të fituara gjatë vitit të kaluar. Por edhe nëse arrijmë të nxjerrim dy miliardë euro, potenciali i turizmit shqiptar është aq i madh, sa të synojë dhjetëfishimin e kësaj shifre. Një vend i ngjashëm me ne për nga sipërfaqja dhe prania e maleve, Zvicra, nxjerr gati 36 miliardë euro nga turizmi në vit. Por ama Zvicra zë vendin e parë në botë për nga niveli i shërbimeve turistike, kurse ne në vendin e fundit në Evropë. Kjo duhet ta shqetësojë qeverinë tonë. Nuk mjafton reklama mjaft e suksesshme në rrjetin televiziv CNN gjatë marsit e prillit të këtij viti. Nuk mjafton edhe nëse kjo reklamë përsëritet në rrjetin televiziv Euronews (në shqip, Lajme nga Evropa). Çfarë na duhet neve është një politikë e orientuar tërësisht nga turizmi, i cili në këto momente që flasim ka kaluar industrinë e parë të vendit, ndërtimin. E si mund të zbatojmë politika për turizmin, kur me të në nivel të qeverisë qendrore dhe të atyre vendore merren apo nuk merren me kohë të plotë 50-60 vetë? Mali i Zi, një vend katër herë më i vogël se ne për nga popullsia dhe gati po aq nga sipërfaqja, ka një Ministri Turizmi me 120 veta dhe rreth 2 mijë operatorë (veprues) publikë shtetërore për këtë industri. Neve nuk na falet që jemi kaq prapa. Promocioni për turizmin shqiptar është i mirëpritur gjithmonë, ngaqë ne nuk jemi njohur asnjëherë në këta pesëdhjetë vitet e fundit për thesaret tona kulturore dhe natyrore. Por ai thjesht nuk mjafton. Na duhen para, shumë para. Qeveria e hapi qesen për vitin 2007 dhe për këtë vit. Por jo aq sa duhet. Jo aq sa të bëjë diferencën. Duhet një strukturë që quhet Fondi i Zhvillimit të Turizmit. Kjo strukturë përmbahet në ligjin e ri të turizmit të miratuar majin e vitit të kaluar. Por askush nuk e ka vënë ujët në zjarr për ta ngritur. Kjo strukturë duhet të fillojë të “mbllaçitë” fonde. Në fillim 5-10 milionë euro, pastaj të arrijë të shumëfishojë veten. Po si? Në fillim duhet që ata pak njerëz që do të jenë në strukturë, të tregohen menaxherë të zotë dhe secilin plan investimi ta bëjnë të njohur botërisht. Ky fond vdes, nëse nuk siguron transparencë dhe besim tek shqiptarët. Por pa të nuk ka turizëm të qëndrueshëm. Pa të nuk ka gërshetim të ofertës së turizmit të rërës dhe detit me atë kulturor, natyror, të turizmit rural, e me radhë. Ky gërshetim nuk bëhet me disa itinerare, me disa ture të shpallura nëpër media. Gërshetimi vjen nga investime konkrete në rrënojat tona arkeologjike dhe historike, nga kthimi i fshatrave karakteristikë shqiptarë në një jetë baritore të përshtatshme për shumë pëlqyes të natyrës dhe jetës rurale që të kalojnë një javë atje. Kjo nuk ndodh sa hap e mbyll sytë, as nuk ka nevojë për reklamë në CNN. Kjo është rezultat i një pune të gjatë me njerëzit tanë vendorë, që të shohin mundësinë e fitimeve të konsiderueshme nga turizmi rural dhe natyror, nga të shërbyerit si ciceronë, udhërrëfyes, guida apo kamarierë e bujtës në fshatrat e tyre. Ky turizëm jep mundësinë e punësimit të mijëra të rinjve dhe të rejave në fshatrat tona dhe mbyll plagën e emigracionit. Askush nuk e ka parë deri tani me seriozitet këtë mundësi të turizmit shqiptar. Është pikërisht koha që kjo qeveri t’i kushtojë vëmendje dhe fonde.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›