Ministria e Punës, rriten përfitimet për grupet në nevojë
Këshilli i Ministrave miratoi dje gjashtë vendime të rëndësishme për mbështetjen e grupeve në nevojë. Bëhet me dije se ndryshimet që janë ndërmarrë për mbështetjen e këtyre kategorive do të fillojnë nga 1 korriku i këtij viti, por e rëndësishme është se këto përfitime do të vazhdojnë gjatë gjithë kohës dhe do të bëhen pjesë e standardeve të shërbimeve dhe pagesave për vitet e ardhshme. Me këto vendime përfitojnë 57 mijë persona me aftësi të kufizuara mendore e fizike, duke përfshirë dhe kujdestarët e tyre. Nga 1 korriku i këtij viti do t’u rritet pagesa me 10%, pra nga 8.000 lekë që kanë përfituar deri tani, ata mbas këtyre vendimeve do të përfitojnë 8.700 lekë. Po me 10% do të rritet pagesa dhe për 14 mijë të verbër dhe kujdestarëve të tyre. Ndërsa për para-tetraplegjikët, që në Shqipëri arrijnë deri në 2.000 persona, parashikohet një rritje prej 10% të pagesës, gjithashtu ky grup personash do të përfitojë më shumë pagesa për paketën e tyre higjeno-sanitare. Këto pagesa do të rriten në masën 33%, ndërsa për invalidët e punës duke përfshirë dhe invalidët e punës që janë para-tetraplegjikë, do të rritet masa e subvencionimit të karburantit që përdorin për mjetet lëvizëse me 50% më shumë. Pra, kjo kategori do të mbështetet me 6.000 lekë në muaj nga 4.000 që marrin aktualisht. Ndërsa një vendim tjetër i rëndësishëm që ka marrë dje Këshilli i Ministrave është se do të mbështesë invalidët e punës të të gjitha kategorive. Përveç indeksimit të pensionit bazë për invalidët e punës, që nga data 1 korrik e këtij viti do të bëhen disa përmirësime në pagesa për aftësinë e kufizuar të invalidëve të punës që marrin 2.000 dhe 3.000 lekë në muaj deri tani, e cila për herë të parë do të indeksohet me 10%. Pra, ata do të marrin 2.200 dhe 3.300 lekë në muaj. Por në mënyrë të veçantë me këtë vendim do të mbështeten edhe invalidët e punës që vuajnë nga sëmundjet profesionale dhe të aksidentuar në punë, për të cilët pagesa do të jetë e diferencuar në raport me invalidët e tjerë. Kjo kategori do të marrë 2.700 lekë në muaj ose 35% më shumë sesa ata marrin aktualisht, ndërsa kategoria tjetër do të marrë 4.000 lekë në muaj nga 3.000 që merr deri tani. Po ashtu, qeveria ka vendosur që duke filluar nga 1 korriku i këtij viti të indeksojë për here të parë edhe ndihmën ekonomike me 10%.