E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia “hap” kufirin për 3 muaj edhe për emigrantët pa dokumente



Leja e kthimit zgjat nga 20 qershori deri më 15 shtator

Kushtet për pesë kategori emigrantësh në Greqi

Ndonëse nuk janë të pajisur me leje qëndrimi, emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek, do të kenë mundësi që këtë vit të kthehen pranë të afërmve të tyre në Shqipëri më herët se zakonisht për të kaluar pushimet verore. Një qarkore e nxjerrë një ditë më parë nga Ministria greke e Rendit dhe Pushtetit Lokal, u jep mundësinë emigrantëve tanë të qëndrojnë plot tre muaj në vendlindje, ndërsa bëhen të ditura dhe kategoritë që përfitojnë. Bëhet fjalë për pesë kategori emigrantësh, mes të cilave, ata që leja e qëndrimit të të cilëve ka skaduar; emigrantët që kërkojnë për herë të parë leje qëndrimi; ata që presin bashkim familjar; atyre me punë të përkohshme dhe atyre që studiojnë, të cilët kanë të drejtën të kthehen në Shqipëri duke filluar nga data 20 qershor deri në 15 shtator. Ndërkohë, në vendimin e ministrit të Brendshëm helen, Prokopis Pavlopulos, përcaktohen edhe kushtet kryesore që emigrantët të përfitojnë nga kjo masë.

Sipas qarkores e cila tashmë i ka kaluar çdo pike doganore të të dyja palëve, renditen si gjithmonë posedimi nga ana e emigrantëve i vërtetimit se kanë dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u pajisur me leje qëndrimi, si dhe pasaportë të vlefshme.

Në këtë aspekt, ministri Pavlopulos ka kërkuar që për emigrantët, leja e qëndrimit e të cilëve ka skaduar, duhet të jenë të pajisur me: pasaportë apo shkresë zyrtare udhëtimi e njohur nga shteti grek që nuk ka skaduar; leje qëndrimi së cilës i ka skaduar afati; si dhe vërtetim i tipit Α (me ngjyrë blu) me anë të të cilit vërtetohet që janë dorëzuar dokumentet përkatëse për rinovimin e lejes së qëndrimit, para se ajo të skadonte dhe këtu përfshihen të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit.

Ndërkohë që emigrantët që kërkojnë për herë të parë leje qëndrimi duhet të ketë me vete: pasaportë ose shkresë zyrtare udhëtimi e njohur nga Greqia dhe që nuk ka skaduar apo vërtetim i tipit Α (me ngjyrë blu) me anë të të cilit vërtetohet që janë dorëzuar të gjitha dokumentet për përfitimin e lejes së qëndrimit.

Kushtet për kthimin

1-Emigrantët, leja e qëndrimit e të cilëve ka skaduar

Ata duhet të jenë të pajisur me:

a- Pasaportë apo shkresë zyrtare udhëtimi e njohur nga shteti grek që nuk ka skaduar.

b-Leje qëndrimi, së cilës i ka skaduar afati.

c-Vërtetim i tipit Α (me ngjyrë blu) me anë të të cilit vërtetohet që janë dorëzuar dokumentet përkatëse për rinovimin e lejes së qëndrimit, para se ajo të skadonte dhe këtu përfshihen gjithë kategoritë e lejeve të qëndrimit.

2-Emigrantët që kërkojnë për herë të parë leje qëndrimi

Ky grup duhet të ketë me vete:

a-Pasaportë ose shkresë zyrtare udhëtimi e njohur nga Greqia dhe që nuk ka skaduar.

b-Vërtetim i tipit Α (me ngjyrë blu) me anë të të cilit vërtetohet që janë dorëzuar të gjitha dokumentet për përfitimin e lejes së qëndrimit.

3-Grupi i emigrantëve me bashkim familjar, atyre me punë të përkohshme dhe atyre që studiojnë

Këta duhet të kenë më vete në pikat kufitare:

a-Pasaportën apo një dokument zyrtar udhëtimi të njohur nga Greqia dhe që nuk ka skaduar.

b-Vizën e skaduar që kanë marrë gjatë mbërritjes së tyre në vend për bashkim familjar apo për studime.

c-Vërtetim që kanë dorëzuar dokumentet për përfitimin e lejes së qëndrimit për bashkim familjar, pune apo studimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›