E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kërkon ratifikimin e marrëveshjes

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe aleatët e tij kryesorë demokratë, kanë bërë thirrje për ratifikim të shpejtë në Senat të marrëveshjes së re me Rusinë për reduktimin e armatimit bërthamor.

Në një intervistë për televizionin ABC, Obama u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që ta mbështesin traktatin, duke thënë se kjo është në interesin më të mirë të SHBA-së dhe se do t’i ndihmojë Washingtonit të ballafaqohet me çështjet e zgjerimit të armatimit, gjëra këto të cilat u cilësuan nga Obama si ndoshta kërcënimin më të madh, me të cilin SHBA-ja mund të përballet në të ardhmen.

Obama tha se demokratët do të duhet të bindin të paktën tetë ligjvënës, republikanë për të siguruar dy të tretat e votave, të cilat nevojiten për ratifikimin e marrëveshjes me Rusinë.

Më herët, kryetarë të qeverive dhe presidentët e shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, kanë uruar Obamën për marrëveshjen e re START me Rusinë.

Në përfundim të samitit ruso-amerikan për çarmatimin, shefat e qeverive dhe shteteve nga Evropa Qendore dhe Lindore u takuan me presidentin Obama të enjten në mbrëmje në Pragë.

Siç ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, palët kanë qenë të një mendimi se përmirësimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së ka rezultuar me uljen e tendosjeve dhe ka krijuar mundësi të reja edhe në marrëdhëniet e shteteve të rajonit me Rusinë.

Temë tjetër e takimit me Obamën ishte edhe gjendja në Afganistan si edhe çështjet e furnizimit me energji, ka bërë të ditur kryeministri çek, Jan Fisher.

"Presidenti amerikan na siguroi se ne bëjmë pjesë në hapësirën euroatlantike", deklaroi kryeministri çek. Obama nuk është vetëm një orator i mirë, por edhe një burrë shtetit që dëgjon me vëmendje, tha Fisher.

Në këtë darkë të përbashkët Obama synonte të hiqte përshtypjen e krijuar se me marrëveshjen e re të çarmatimit mes SHBA-së dhe Rusisë, Amerika zhvendoset nga shtetet e reformuara të Lindjes.

Kryeministri çek Fischer u shpreh se në takim u bë e qartë se rajoni dëshiron transparencë dhe se "presidenti amerikan nuk ka aspak problem me një qëndrim të tillë".
Më parë Medvedev dhe Obama kishin arritën pajtimin për vazhdimin e bisedimeve për çështjen e mbrojtjes raketore.

"Medvedev dhe unë u pajtuam që të zgjerojmë bisedimet lidhur me mbrojtjen raketore. Kjo do të përfshijë shkëmbimet e rregullta të informacionit për ato që vlerësohen si rreziqe si edhe kompletimin e një vlerësimi të përbashkët për raketat e pritshme balistike", deklaroi Obama.

Në takimin ne rezidencën e ambasadës amerikane në Pragë ishin ftuar kryetarë qeverish e shtetesh nga Bullgaria, Estonia, Kroacia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovenia, Hungaria, dhe Sllovakia.

Pas takimit Shtëpia e Bardhë në deklaratën e saj ka theksuar se "aleanca atlantike është tepër e rëndësishme për interesat e përbashkëta dhe sigurinë globale."

Në vitet e fundit shtetet e Lindjes kanë vuajtur pasojat e politikës energjetike ruse. Fischer tha se , "presidenti amerikan i dëgjoi me vëmendje diskutimet për çështjet e energjisë."

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›