E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama kryeministrit Putin: “Amerika pro një Rusie të fortë”



Blerina Olldashi
Dita e dytë e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama në Rusi filloi me një takim pune me kryeministrin rus Vladimir Putin në rezidencën e tij në Novo Ogaryovo. Presidenti amerikan pohoi se SHBA-të dhe Rusia edhe pse nuk mund të bien dakord për gjithçka, kjo është mundësia e duhur për të përmirësuar marrëdhëniet. SHBA-ve u duhet një partner i fortë si Rusia dhe këtej e tutje të dyja vendet do të përpiqen në përmirësojnë marrëdhëniet. “Amerika dëshiron një Rusi të fortë, paqësore dhe të suksesshme. Kush ka menduar në të shkuarën se SHBA-të dhe Rusia ishin të destinuar të mbeteshin armiq, gabohej. Është e vështirë të kesh partnerë dhe të ndryshosh metodat e veprimit të qeverive paraardhëse. Por jam i bindur që këtë shekull SHBA-të dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta dhe kushtet për të bashkëpunuar tashmë janë krijuar”,- u shpreh presidenti Obama. “Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk mund të bien dakord për gjithçka, por dy vendet kanë rastin të forcojnë dhe përmirësojnë marrëdhëniet”,-është shprehur Obama. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Putin. “Raportet mes dy vendeve kanë qenë me ulje dhe ngritje në periudha të ndryshme por jam i mendimit se jemi të gatshëm të kemi marrëdhënie më të mira me SHBA-të falë Obamës”,- tha Putin. Për presidentin Obama e djeshmja ishte një ditë e ngarkuar me takime të ndryshme. Pas Putinit presidenti amerikan u takua me ish-presidentin Mikhail Gorbaciov, dhe më pas zhvilloi një konferencë në “New Economich School” ku u përqëndrua në raportet e ardhshme SHBA-Rusi. Në programin e Obamës ishin edhe takime me personalitete të njohura të biznesit rus si dhe përfaqësues të organizatave sociale dhe eksponentë nga opozita. Një tjetër takim u zhvillua në orët e pasdites me presidentin Medvedev pas takimit të një dite më parë. Obama në takimin e parë deklaroi gjatë një konference për shtyp se marrëdhënia mes vendeve ka filluar të normalizohet me sukses.
Qeveria e Moskës dhe e Uashingtonit ranë dakord dje për përpunimin e disa marrëveshjeve për armët strategjitke atomike, të cilat do të pasojnë Paktin e çarmatimit, afati i të cilit mbaron në dhjetor. Bëhet e ditur se muajt e ardhshëm do të punohet për arritjen bazës për një Pakt të ri çarmatimi. Të dy palët dëshirojnë të bashkëpunojnë më ngushtë, për të penguar shpërndarjen e armëve atomike dhe sulmeve terroriste me armë atomike. Një tjetër vendim i rëndësishëm që u arrit mes presidentit rus Dimitri Medvedev dhe atij amerikan Barak Obama ishte edhe kalimi i materialeve dhe personelit ushtarak të SHBA-ve në Afganistan nëpërmjet Rusisë me rreth 4.500 fluturime në vit.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›