Maqedoni, Nimiç:” Modifikim propozimit të tetorit”
Propozimi i bërë në tetor por i modifikuar do të jetë baza për negociatat e ardhshme për çështjen e emrit. Kështu deklaroi dje i dërguari i posaçëm i OKB-së për kontestin në fjalë Metju Nimiç pas takimit të zhvilluar me kryeministrin Gruevski. “Takimi ishte mjaft i suksesshëm dhe kam parandjenjën se do të gjejmë një zgjidhje për problemin”,- ka pohuar Nimiç. Pasditen e djeshme kryenegociatori u nis për në Athinë dhe sot pritet të takohet me ministren e Jashtme Dora Bakojanis dhe ndërmjetësin grek për çështjen e emrit me Maqedoninë. Pas këtyre takimeve Nimiç pritet të dalë me qëndrime të reja.
Brazil, një femër pranon 30 krime ndaj meshkujve
Një vajzë 17 vjeçare, pasi është ndaluar nga forcat e policisë për një kontroll rutinor, ka rrëfyer se është autorja e 30 krimeve. Viktimat kanë qenë të gjithë meshkuj dhe komisari i policisë së Sao Josesë Mauro Truzi Otero u shpreh se vajza pranoi se krimet ishin kryer për motive të ndryshme: para, hakmarrje ose për të bërë drejtësi, si në rastin e vrasjes së një pedofili i cili po përdhunonte një fëmijë. Autoritetet e policisë janë shprehur se ende nuk dihet nëse vajza është autore e krimeve që ka pranuar edhe pse për 11 prej tyre ekzistojnë detaje dhe prova se janë kryer nga 17-vjeçarja.
8 Korrik 2009