E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, kryeson takimin e KS-së për çarmatimin bërthamor

Presidenti Barack Obama kryeson sot një takim special të Këshillit të Sigurimit mbi mospërhapjen e armëve bërthamore dhe çarmatimin bërthamor. Takimi zhvillohet gjatë samitit vjetor të Asamblesë së Përgjitshhme të OKB-së, ndërsa pritet të marrin pjesë krerët e shteteve të 14 anëtareve tjera të Këshillit të Sigurimit.
Takimi vjen një ditë pasi që Obama dhe presidenti rus Dimitri Medvedev thanë se dy shtetet e tyre mund të pajtohen për një traktat të ri mbi zvogëlimin e arsenaleve të tyre bërthamore, që nga dhjetori.
Takimi i Këshillit do të shënojë herën e pestë, kur Këshilli i Sigurimit takohet në nivel të krerëve shtetesh dhe qeverish. Gjithashtu do të jetë këshilli i parë i samitit, që fokusohet ekskluzivisht në mospërhapjen dhe çarmatimin bërthamor. Samiti i parë i Këshillit të Sigurimit është mbajtur më 31 janar të vitit 1992 dhe është udhëhequr nga kryeministri britanik John Major. Për çështjen e Iranit, Medvedev tha se bota duhet ta inkurajojë Iranin për të marrë "vendimin e duhur" mbi armët bërthamore, për të cilat tha se Teherani nuk duhet lejuar që t'i ketë. Gjithashtu ai tha se në disa raste sanksionet janë të paevitueshme.
Obama tha se sanksione "serioze" duhet të shqyrtohen, nëse Irani nuk përgjigjet rreth programit të tij kundërthënës bërthamor. Më herët, ne fillimin e diskutimeve në sesionin e 64-ët të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe në fjalimin e tij të parë në këtë samit. Presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara janë gati të fillojnë një kapitull të ri bashkëpunimi ndërkombëtar pas shumë vite marrëdhëniesh të vështira me OKB-në. Obama premtoi përpjekje të palëkundura nga Shtetet e Bashkuara për paqe në Lindjen e Mesme si dhe diplomaci me Korenë e Veriut dhe Iranin për zgjidhjen e shqetësimeve rreth programeve të tyre bërthamore. Presidenti Obama tha se administrata e tij, gjatë nëntë muajve të saj të parë është përballur me shumë nga çështjet që krijuan marrëdhënie të tensionuara mes Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar gjatë administratës Bush. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund t'i zgjidhin të vetme problemet e botës dhe se ka ardhur koha që të gjitha vendet anëtare të OKB-së të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për t'ju përgjigjur sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe mospërhapjen e armëve. Obama, tha se veprimtaria e Iranit dhe Koresë së Veriut në fushën e çarmatimit bërthamor, kërcënon ta çojë botën drejt rrugës së rrezikshme të përhapjes së pakontrolluar të armëve të tilla. Ai tha se administrata amerikane është e angazhuar për zgjidhjen diplomatike të shqetësimeve që kanë ngjallur ambiciet bërthamore të këtyre dy vendeve, por kjo, shtoi ai, është gjithashtu një fushë tjetër në të cilën është e nevojshme mbështetja e komunitetit botëror.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›