Luftime mes njësive të rivalizuara islamike në Somali
Së paku 14 persona janë vrarë, pas përleshjeve të armatosura mes njësive të rivalizuara islamike, të cilat po tentojnë të vendosin nën kontroll një qytet strategjik në perëndim të Somalisë, kanë njoftuar sot dëshmitarët okularë.
Grupi i moderuar islamik, Ahlu Suna Valjama, që është i lidhur me qeverinë e Somalisë, ndërmori një sulm kundër grupit rival në qytetin Belet Vejne, në kufi me Etiopinë, theksuan dëshmitarët. Përleshjet mes grupit Ahlu Suna Valjama dhe grupit Hizbul Islam vazhduan edhe gjatë ditës së sotme.
Banori i qytetit Belet Vejne, Omar Adam, theksoi se nëpër rrugët e qytetit ka parë kufomat e së paku tetë personave, shumica prej tyre civilë. Banori tjetër, Ibrahim Qayle, theksoi se ka parë gjashtë trupa të pajetë dhe theksoi se te viktimat bëhet fjalë për luftëtarë islamikë.
Saida Ahmed, një infermiere në spitalin e Belet Vejnes, theksoi se në spital janë pranuar së paku 20 persona të plagosur, shumica prej tyre civilë.
Ka tashmë disa muaj që grupet rivale islamike dhe forcat e qeverisë po zhvillojnë betejë për të vendosur nën kontroll Belet Vejnan, kryeqytetin e rajonit Hiran, në pjesët qendrore të Somalisë.