E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama lavdëron “samitin e unitetit”

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e cilësoi si të suksesshëm samitin për sigurinë bërthamore, i cili përfundoi në Washington.

Por a është vërtetë bota më pak e rrezikuar nga sulmet terroriste bërthamore, pas përfundimit të këtij samiti?

Thirrja e presidentit Barack Obama, për t’i siguruar materialet bërthamore, ka marrë mbështetjen e plotë të drejtuesve të 47 shteteve pjesëmarrëse në konferencën për sigurinë bërthamore në Washington.

Në fjalimin e tij përmbyllës, Obama theksoi se udhëheqësit e pranishëm ndajnë të njëjtin mendim, se e vetmja rrugë që pengon rënien në duart e terroristëve dhe aktorëve jo-shtetërorë të armëve dhe materialeve bërthamore, është përmes rritjes së masave mbrojtëse.

“Jam shumë i kënaqur, se të gjitha vendet e pranishme kanë mbështetur qëllimin që e theksova në Pragë, një vit më parë – t’i sigurojmë të gjitha materialet e ndjeshme bërthamore, kudo ku ndodhen, brenda katër viteve të ardhshme”, tha Obama.

“Ky është një qëllim ambicioz dhe nuk kemi iluzione se do të jetë i vështirë për t’u përmbushur. Por, urgjenca dhe pasojat katastrofike, edhe në rast të një sulmi të vetëm terrorist bërthamor, kërkojnë përpjekje të jashtëzakonshme. Ky është një objektiv që mund të realizohet”, shtoi presidenti amerikan.

Obama e thirri takimin si pjesë të strategjisë së Shtëpisë së Bardhë, lidhur me armatimin bërthamor dhe mos-zgjerimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Në fokus të takimit ishte një element shumë shqetësues i kërcënimeve bërthamore - mundësia që grupe terroriste si Al Qaida mund të arrijnë deri te materialet bërthamore.

“Materialet bërthamore, që mund të vidhen apo të shiten, e që mund të përdoren më pas për të siguruar armë bërthamore, gjenden te dhjetëra shtete. Një sasi e vogël plutoniumi, në madhësinë e një molle, mund të vrasë e të plagosë qindra-mijëra njerëz. Rrjete terroriste si Al Qaida janë përpjekur të shtinë në dorë materiale të tilla. Nëse janë të suksesshëm në përpjekjet e tyre, padyshim që ata do t’i përdorin këto lloje armatimesh”, tha Obama.

Por ende pa u tharë shkrimi në komunikatën përfundimtare të takimit, janë ngritur pyetje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e mundshëm në këtë fushë të shteteve, si: India e Pakistani apo Izraeli e Arabia Saudite.

Nga ana tjetër, presidenti Obama përshëndeti marrëveshjen e arritur me Ukrainën për shkatërrimin e të gjithë armatimit me uranium, si dhe vlerësoi pozitivisht Rusinë.

Kjo e fundit është shndërruar në një partner të papritur në agjendën e Obamas për çështjet e çarmatimit.

“Një zhvillim i madh dhe i shumëpritur ishte deklarimi i Rusisë se do ta mbyllë reaktorin e prodhimit të plutoniumit për armët e këtij lloji. Pas shumë viteve të përpjekjeve, jam i kënaqur të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord të eliminojnë 68 tonë plutonium nga programet tona të armatimit”, theksoi Obama.

Natyrisht, kur flitet për armët dhe programet bërthamore, dy vende dalin në sipërfaqe si shumë problematike për bashkësinë ndërkombëtare - Irani dhe Koreja e Veriut.

Derisa vendet perëndimore synojnë të vendosin sanksione të reja ndaj Iranit, shtete si India e kundërshtojnë një hap të tillë. Kurse Kina, një lojtar kyç, ka theksuar se duhet luftuar në dy fronte.

Sa i përket Koresë së Veriut, vend i cili nuk ishte ftuar në takim, u vendos që për armët bërthamore të Phenianit të flitej në një takim të posaçëm, që do të mbahet në vitin 2012, në Korenë e Jugut.

Kryetari i agjencisë ndërkombëtare të energjisë atomike, Yukiya Amano, tha se fuqitë bërthamore duhet të bënin më shumë për të mbrojtur materialet bërthamore nga vjedhja dhe kontrabanda.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, theksoi se shtetet me kapacitete bërthamore, siç është Pakistani, janë tejet të ekspozuara ndaj këtij rreziku.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›