Obama mbron komentet e tij dhe sulmon republikanët

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mbrojtur komentet e tij private me presidentin rus, Dimitri Medvedev, pasi republikanët opozitarë e kanë akuzuar atë se planifikon të plotësoj kërkesat ruse, nëse ai do të rizgjedhej në nëntor.
Mbrëmë, mikrofonat e aktivizuar e kanë regjistruar Obamën duke i thënë Medvedevit, në samitin në Seul të Koresë Jugore, se do të ketë “më tepër fleksibilitet”, për çështjen e kontrollit të armatimit, e veçanërisht për mbrojtjen raketore të Shteteve të Bashkuara në Evropë, që aktualisht kundërshtohet nga Rusia, pas zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat ai synon rizgjedhjen.
Kandiati kryesor për nominimin republikan për zgjedhjet e nëntorit kundër Obamës, Mit Romni, e ka akuzuar Obamën se është shumë i gatshëm për t`i bërë lëshime Moskës.
Sot, Barak Obama, tha se atmosfera parazgjedhore në Uashington, nuk është përçuese e diskutimit dy partiak të çështjeve të ndjeshme të politikës së jashtme.