E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi- Obe: Marrja e statusit këtë vit, objektiv kryesor

Kreu i shteti Bamir Topi ka deklaruar sot se objektivi kryesor i Shqipërisë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian brenda vitit 2012, që përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë.
Deklarata e Topit është bërë gjatë takimit me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nikolas Kanon Obe, i cili paraqiti Letrat-kredenciale.
 

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadori britanik ndanë të njëjtat pikëpamje për sa i përket rëndësisë së pavarësisë së institucioneve kushtetuese, të konsolidimit të gjyqësorit dhe parimeve të demokracisë për ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe përmbushjes së reformave dhe kritereve të kërkuara për integrimin në Bashkimin Evropian.
 

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Obe, pasi e përgëzoi Presidentin Topi për përmbushjen e misionit të tij kushtetues si simbol i unitetit të popullit, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues për në Bashkimin Evropian.
 

Ambasadori Nikolas Kanon Obe vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke shprehur mirënjohjen edhe për kontributin e trupave ushtarake shqiptare në Afganistan në kuadër të koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër një të kërcënimi global, siç është terrorizmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›