E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama ne Ground Zero Nuk do e harrojme kurre 11 Shtatorin

Presidenti amerikan, Barak Obama viziton Ground Zero në Nju Jork, vendin ku 10 vjet më parë ngriheshin kullat binjake të cilat u bënë shënjestër e sulmit terrorist të orkestruar nga Osama Bin Laden, në të njëjtin vend ku ish-presidenti Xhorxh Bush qëndronte në mes të rrënojave të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe u thoshte amerikanëve “ Ata që rrëzuan këto ndërtesa do të dëgjojnë shpejt prej nesh”.

Pas dhjetë vjetësh, trupat amerikane në një operacion sekret, ekzekutuan Osam Bin Laden duke i dhënë fund një dekade kërkimesh. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani priti presidentin Obama kur helikopteri i tij u ul në zonën e Uoll Stritit. Më tej, ai vizitoi një stacion zjarrfikësish i cili humbi 15 anëtarë të vet gjatë operacionit të shpëtimit në kullat binjake. Gjatë kësaj vizite, Obama tha se vrasja e Bin Ladenit i ka nisur botës dhe popullit amerikan një mesazh.

 “Ajo që ndodhi të dielën, për shkak të kurajos së ushtrisë sonë dhe punës së shkëlqyer të oficerëve të zbulimit, i nisi një mesazh gjithë botës por edhe amerikanëve. Atë që kur ne themi se nuk harrojmë kurrë, ne e kemi me të vërtetë. Dhe angazhimi ynë për të çuar drejtësinë në vend, është diçka që tejkalon politikën apo partitë”-tha Obama.

Më tej, presidenti vendosi një kurorë në sitin historik mbi një platformë druri dhe takoi familjarë të viktimave. 3000 njerëz humbën jetën atë ditë dhe kjo kurorë ishte në përkujtim të tyre, por edhe në një gjest simbolik pas hakmarrjes mbi mendjen djallëzore që planifikoi gjithçka. Sipas BBC-së, vendosja e heshtur e kurorës, asnjë fjalim i planifikuar, është një dëshmi se administrata Obama kërkon që vizita të mbetet jashtë fushatës dhe politikës.

Ka një ndjeshmëri të madhe të publikut për situatën dhe Shtëpia e Bardhë kërkon të mos akuzohet se po shfrytëzon vrasjen e Bin Laden apo dhimbjen e familjarëve për të bërë fushatë.

Mijëra njerëz u mblodhën natën e vrasjes së Bin Laden në Ground Zero, në një festë të vërtetë. Siti është tani në ndërtim e sipër, dhe punimet për muzeun Kombëtar të 11 shtatorit  dhe memorialin që përfshin një muze, ujëvara dhe një park pritet të mbyllen në vitin 2013.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›