E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta ne Siri terhiqen tanket nga qyteti Deera

Aktivistët në Siri janë gati për ditën e sfidës pas lutjeve tradicionale të së premtes. Nga Deera raportohet se janë tërhequr tanket pas asaj që aktivistët e cilësojnë si masakër 10-ditore.

Megjithatë represioni nuk ndalet e forcat e sigurisë janë prezente edhe në të tjera qendra urbane, përfshirë këtu  qytetin bregdetar të Baniyas. Më tepër se 500 persona  mendohet se kanë humbur jetën në 7 javët e fundit të  shtypjes së dhunshme të protestave.

Të paktën 2,500 të tjerë janë arrestuar, ndërsa dhuna e ushtruar ndaj protestuesve është përshkruar nga Shtëpia e Bardhë si barbare. Mes të arrestuarve është dhe imami i Deeras, qytet simbol i protestave. Aktivistë të të drejtave të njeriut denoncojnë policinë që arreston manifestuesit e plagosur nëpër spitale,  ndërsa një e përditshme saudite thotë se që nga fillimi i trazirave në Siri ka rreth 8 mijë persona të humbur.

Protestuesit kërkojnë liri politike e civile më të mëdha, duke rrezikuar për herë të parë rrëzimin e regjimit të Presidentit Bashar al-Assad. Gazetarët e huaj nuk lejohen të hyjnë në Siri, ndaj dhe raportimet e situatës aty mbeten të vështira për t’u konfirmuar.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›