Obama, negociator i bisedimeve izraelito-palestineze
Presidenti Barak Obama do të jetë negociator i bisedimeve mes palestinezëve dhe izraelitëve në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që zhvillohen ditën e sotme. Obama do të presë në takime të veçanta kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidentin izraelit Mahmud Abaz, në përpjekje për t’i dhënë shtysë paqes në Lindjen e Mesme. Zyrtarë amerikanë nuk presin shumë prej këtyre takimeve. Gjithsesi kjo iniciativë është sinjal i qartë i angazhimit të Obamës në këtë çështje dhe do të ishte e parakohshme të mendohej për rezultate konkrete. Ndërkohë bëhet e ditur se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të mbrojë pozicionin e vendit të tij në takimin me presidentin amerikan Obama. Netanjahu do të mbrojë zgjerimin e kolonive hebreje në territoret e pushtuara palestineze. Zëdhënësi i kryeministrit tha se nuk ka pasur ndonjë parakusht për mbajtjen e takimit trepalësh, Netanjahu-Obama-Abas. Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ndërtimet në kolonitë hebreje të ngritura në territoret palestineze. Në muajin maj Obama i priti veç e veç kryeministrin izraelit dhe presidentin e palestinezëve. Për një kohë të gjatë ishte e pasigurtë, nëse një takim i tillë ishte i mundur së shpejti, për shkak të marrëdhënieve të akullta mes Netanjahut dhe Obamës. Presidenti i SHBA-së përpara takimit do të bisedojë fillimisht veçmas me Netanjahun dhe Abazin, deklaroi Shtëpia e Bardhë. Bëhet fjalë për vendosjen e bazave për një raund të ri bisedimesh për paqe, u bë e ditur nga qarqet pranë presidentit Obama.
22 Shtator 2009