E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu dhe Tadiç në Nju Jork, me qëndrime të kundërta për Kosovën

Delegacioni kosovar përbëhej nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri Hyseni. Takimet në OKB, Tadiç vlerëson se Beogradi këtë herë synon “fitoren”

Blerina Olldashi
Kosova rifillon përpjekjet për njohje nga vende të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë. Një delegacion i përbërë nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni zhvilluan një vizitë në Nju Jork, ku zhvillohet takimi i radhës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i kësaj vizite mësohet se është lobimi për pavarësinë dhe njohja e Kosovës nga sa më shumë shtete anëtare të OKB-së. Para nisjes, Sejdiu u shpreh se janë programuar një sërë takimesh me presidentë të shteteve, me qëllim që të përshpejtohet procesi I njohjes. “Gjatë zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të kemi takime të shumta me presidentë apo udhëheqës shtetesh. Synimi ynë është që të takojmë krerët e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës deri tani, me qëllim që të shpejtohet edhe procesi i njohjes nga këto vende”,- ka deklaruar presidenti Sejdiu. Së bashku me Presidentin, në SHBA udhëtoi edhe zonja e parë e Kosovës, Nezafete Sejdiu. Vizita e zonjës Sejdiu bëhet me ftesën e bashkëshortes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zonjës Ban Son-Taek, për të marrë pjesë në “Takimin e dytë qëndror vjetor të Kombeve të Bashkuara për autizmin”. Janë gjithsej dyzet takime të konfirmuara, që delegacioni kosovar do t’i zhvillojë në Nju Jork. Përvec kërkesës për njohje, delegacioni kosovar do të kërkojë nga shtetet hezituese ta mbeshtesin Kosovën edhe në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe ministri Hyseni tha se delegacioni do të zhvillojë një numër takimesh me përfaqësues të lartë të shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe siguroi se do të bëhen përpjekje për të shtuar numrin e njohjeve, që deri tani ka arritur në 62. Delegacioni nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë, meqë Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së. Ndërkohë, autoritetet në Beograd kanë shfaqur bindjen e tyre se Serbia në Asamblenë e Përgjithshme do të arrijë që të fitojë, siç thonë, edhe një betejë për ruajtjen e tërësisë tokësore të saj. Zyrtarë serbë thonë se presidenti, Boris Tadiç, i cili ndodhet në Nju Jork, do të ofrojë argumente në Asamble që janë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare. Tadiç ka deklaruar se një zgjidhje mbi bazën e kompromisit duhet të gjendet për Kosovën, përmes, siç ka thënë ai, negociatave të reja të cilat do të mundësohen, është shprehur ai, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Zbatimi i Protokollit, EULEX-i paralajmëron konsultime me Serbinë
Zyrtarë të EULEX-it bënë të ditur se në fillim të muajit të ardhshëm do të nisin konsultimet me qeverinë serbe për gjetjen e modaliteteve se si mund të implementohet protokolli për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, i cili u nënshkrua më 11 shtator. Ndonëse protokolli për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë serbe pritej të hynte në fuqi 8 ditë pas nënshkrimit, përfaqësues të këtij misioni thonë se deri tani nuk ka pasur shkëmbim informacionesh midis dy palëve. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, shpjegon: Ajo që planifikon Policia e EULEX-it është të zhvillojë një takim, në fillim të tetorit, me homologët e tij në Serbi për t’u marrë vesh për rrugët se si do të implementohet kjo marrëveshje teknike. Protokolli për policinë ndërmjet EULEX-it dhe shtetit serb u kundërshtua ashpër nga Prishtina zyrtare. Udhëheqësit e Kosovës madje e cilësuan si të mbyllur debatin mbi këtë çështje. Pas nënshkrimit të protokollit, autoritetet ndërkombëtare kishin paralajmëruar edhe nënshkrimin e protokolleve të ngjashme për dogana e gjyqësi, me të cilat, siç thuhet, synohet të kthehet kontroll në këta sektorë në pjesën veriore të Kosovës.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›