E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, në vitin 2011”



”Qeveria e Kosovës mbështet vendimin e Presidentit Fatmir Sejdiu që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen deri në vitin 2011”.
Kështu deklaroi dje në Prishtinë kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi që pati me udhëheqësit e shoqatave të dala nga lufta. Thaçi tha se vendimi i dy ditëve më parë i Presidentit Sejdiu duhet respektuar sepse është i paraparë me Kushtetutën e Kosovës dhe me planin “Ahtisari”. Ai nuk pranoi të komentonte reagimet e ashpra të opozitës rreth këtij vendimi, duke kërkuar nga ata unitet dhe politikë shtetformuese. Lidhur me temën shumë të përfolur të kohëve të fundit nëse do të ketë bisedime Prishtinë – Beograd dhe se cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi deklaroi: “Ne do ta respektojmë në përputhshmëri Kushtetutën e Kosovës dhe gjithçka që del nga dokumenti i Presidentit Ahtisari për çështje praktike. Ne do ta respektojmë dhe do të zhvillojmë takime në interes edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj, por edhe për Serbinë, por gjithçka do të jetë në raporte ndërshtetërore”. Kryeministri Thaçi foli edhe rreth mundësisë së ndërmjetësimit të këtyre bisedimeve nga UNMIK–u. Ai tha se Kosova tashmë është vetë zot shtëpie dhe se mandati i UNMIK–ut është i tejkaluar.

Putin: “Moska dhe Kievi të arrijnë një pakt për gazin”

Kryeministri rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë një marrëveshje për furnizimet me gaz. Putin e dha këtë deklaratë pak orë para takimit me homologen e tij ukrainase, Julia Timoshenko. Kreu i qeverisë ruse u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, pasi në fund të të gjitha prospektivave është pikërisht kjo zgjidhja më e mirë. Edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi është shprehur se kriza e gazit mes Ukrainës dhe Moskës ishte “një mosmarrëveshje e dyanshme” dhe se ajo rrezikon besueshmërinë e këtyre dy vendeve. Sipas tij, Ukraina nuk duhet të marrë peng një konflikt energjetik që ka të bëjë me miliona europianë, të cilët presin më të mirën. Sarkozi gjithashtu nënvizoi se këtu vihet në rrezik besueshmëria e Ukrainës, edhe pse u shpreh në të njëjtën kohë se “i kupton mjaft mirë rivalitetet politike”.

19 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›