E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama nis turin e udhetimeve pas fitores ne zgjedhje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nis udhëtimin e parë jashtë vendit që nga rizgjedhja në presidencialet e 6 nëntorit. Ai do të ndalojë në tri shtete të Azisë Jugore për të shprehur përkushtimin e Shtëpisë së Bardhë ndaj Azi-Paqësorit, si dhe për të luftuar ndikimin në rritje të Kinës në rajon. Obama arrin të dielën në Tajlandë, ku do të takojë Mbretin Bhumibol Aduliadej dhe kryeministrin Ingluk Shinavatra. Më pas ai do të bëhet presidenti i parë amerikan që viziton Birmaninë, e cila po del nga dekadat e diktaturës. Përveç takimit me presidentin Thein Sein, Obama do të mbajë një fjalim në Universitetin e Rangoonit, do të takojë të burgosurit e sapoliruar politikë dhe do të vizitojë udhëheqësen e opozitës, Aung San Suu Kyi, në rezidencën e saj. Ndalesa e fundit e Obamës do të jetë Kamboxhia, ku do të marrë pjesë në një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Lindore, si dhe në Samitin e Azisë Lindore. Uashingtoni është i prirur për të forcuar lidhjet ushtarake dhe tregtare me vendet, të cilat duan që Shtetet e Bashkuara të përballen me fuqinë në rritje të Kinës, sidomos në Detin e Kinës Jugore, ku pretendimet territoriale kërcënojnë rrugët e tregtisë globale. Ulja e Obamës në tavolinë sinjalizon arritjen e Shteteve të Bashkuara si një lojtar i madh në Azi Paqësor - një zhvillim të cilin Kina mund të mos e mirëpresë, por sigurisht se nuk mund as ta injorojë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›