Obama paralajmëron Sirinë

“Sot ne po punojmë që populli i Sirisë të ketë ardhmëri më të mirë, i lirë nga regjimi i Assadit. Duke pasur parasysh rezervat e armatimit kimik, ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë për Assadin dhe ata rreth tij, se bota po i shikon dhe se ata do të mbahen përgjegjës nga komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara, nëse ata bëjnë gabim tragjik, duke i përdorë këto armë”, tha Obama, duke folur para veteranëve të luftës në Nevada.
Damasku është kërcënuar se do ta përdorë armatimin kimik kundër çfarëdo intervenimi të jashtëm në Siri, me gjithë që ka premtuar se nuk do ta përdorë këtë lloj të armatimit kundër civilëve të vet.
Gjatë fjalimit të tij para Veteranëve të Luftërave të Jashtme, një organizatë me 2,1 milionë anëtarë, Obama përmendi gjithashtu sukseset amerikane kundër rrjetit terrorist të Al-Qaidës. Shtetet e Bashkuara, tha ai, janë një vend më i fortë dhe më i respektuar, për shkak të udhëheqjes së tij.