Obama paraqet planin e ri për ekonominë
Presidenti Barak Obama do të dalë të enjten e ardhshme para Kongresit me një fjalim që do të transmetohet në shkallë kombëtare, ku ai do të prezantojë një plan të ri për ekonominë amerikane. Siç bën të ditur “Zëri i Amerikës”, shanset e presidentit për t`u rizgjedhur mund të varen pikërisht nga rezultati i këtij plani. Ndërkohë që vazhdon amullia ekonomike dhe papunësia luhatet në 9 për qind, Presidenti Obama tha ditët e fundit se do të prezantojë një plan për të hapur vende të reja pune. “Do të prezantoj një sërë hapash që mund të ndërmarrë menjëherë Kongresi për t`u lënë më shumë para në dorë familjeve të klasës së mesme dhe për t`ua bërë më të lehtë bizneseve të vogla të punësojnë njerëz, të angazhojnë ekipet e punës për të rindërtuar rrugët, hekurudhat dhe aeroportet dhe masa të tjera që ndihmojnë për rritje ekonomike”. Anketat e fundit tregojnë se mbështetja e publikut për punën që po bën presidenti ka rënë në rreth 44 për qind, ndër më të ulëtat gjatë mandatit të tij. rreth 2/3 e të anketuarve thonë se janë të pakënaqur nga mënyra se si presidenti ka reaguar në përgjigje të problemeve ekonomike. Si rezultat, anketa të tjera tregojnë se presidenti mund ta ketë të vështirë të rizgjidhet në nëntor 2012. Pjesërisht si rezultat i shqetësimeve politike, ka pasur pikëpamje të ndryshme nga stafi i Presidentit dhe analistë politikë lidhur me intensitetin e politikave që duhet të propozojë Obama për të hapur vende të reja pune. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, sipas burimeve të brendshme, po shqyrtojnë programe ri-kualifikimi për individë që kanë qenë pa punë për një kohë të gjatë, ulje taksash për amerikanët me të ardhura mesatare, dhe lehtësime taksash për bizneset që marrin njerëz në punë. Programi mund të përfshijë edhe shpenzime të reja për të rindërtuar shkolla, ura, rrugë dhe objekte të tjera të infrastrukturës.Po ashtu Obama pritet të vazhdojë presionin ndaj Kongresit për të miratuar marrëveshje të tregtisë së lirë me Panamanë, Kolumbinë dhe Korenë e Jugut.