E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, presion dhe kritika ndaj bankave

Të godasësh Wall Street është shndërruar në një modë të vërtetë në këto kohë. Njerëzit janë shumë të acaruar ndaj bankave të mëdha dhe firmave të Wall Street, që pavarësisht krizës vazhdojnë të bëjnë me shumicë para në kurriz të tyre. Kjo ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës papunësia ka kapur shifrën 10%. Me afrimin e fundit të vitit do të shpërndahen edhe bonuset milionere për ekzekutivët dhe drejtuesit e lartë dhe kjo do të gjenerojë shumë më tepër pakënaqësi. Për këtë qëllim u parashikua që gjatë takimit të djeshëm të Presidentit amerikan me bankierët më të mëdhenj të vendit ai do të ushtronte një dozë të mirë presioni politik. Bëhet fjalë për një takim të Presidentit me ekzekutivë nga Goldman Sachs, JPMorgan Chase, Bank of Amerika dhe Wells Fargo. Obama u ka rezervuar bankierëve vazhdimisht, gjatë këtij viti, fjalë të ashpra. Gjatë një interviste të fundit televizive ai tha se nuk ishte President i Amerikës për të "ndihmuar majmen e një grushti bankierësh të Wall Street". Por duket se në fjalorin e Obamës ka nxitës të tjerë përveç atyre politikë. Presidenti ka probleme të tilla, të cilat vetëm bankat mund t‘ia zgjidhin. Për çështjen e shtëpive, vendeve të punës ekonomisë në përgjithësi atij i duhen bankierët, por që të kenë ndryshuar mënyrat e të sjellit dhe për këtë i duhet që të bëhet i rreptë. Ndaj në takimin e djeshëm në darkë të gjithë kanë parashikuar një Obamë të ashpër, por nga ana tjetër edhe një Obamë që është aty edhe për të kërkuar ndihmë. Problemi më i madh për ekonominë amerikane është papunësia. Mënyra më e mirë për ta përballuar është stimulimi i rritjes së biznesit të vogël, por kjo nuk mund të ndodhë për sa kohë që bankat nuk japin kredi. Disa nga bankat e mëdha janë të gatshme që të paguajnë pjesërisht paratë që kanë marrë për të dalë nga situata e kolapsit një vit më parë, ndërsa pjesa më e madhe e bankave të vogla dhe të mesme nuk janë në gjendje ende për ta bërë një gjë të tillë. Më e mira që mund të bëhet aktualisht është rritja e kredive me një risk minimal. Një nga mesazhet që pritet të dalë nga ky takim shumë i rëndësishëm i Obamës me bankat është ai që ato i detyrohen shumë qeverisë amerikane për paketat shpëtimtare dhe sigurisht, taksapaguesit në radhë të parë dhe tani është radha e industrisë bankare që të ndihmojë pronarët e biznesit të mesëm dhe të vogël. Nga ana tjetër, Obama do të ketë kritikuar bankat për shmangien që ato i bëjnë sistemit rregullator financiar, si dhe për vazhdimin e shpërndarjes së bonuseve shumë të majme dhe tërësisht të pajustifikueshme për situatën në të cilën ndodhet ekonomia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›