E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama "shfajëson" CIA-n për torturat

Barak Obama "shfajëson" agjentët e CIA-s që kanë përdorur "për hir të detyrës" metoda të forta gjatë marrjes të të burgosurve në pyetje. Presidenti amerikan, në një komunikatë që shoqëroi publikimin e katër memorandumeve të administratës "Bush" mbi metodat e lejuara të marrjes në pyetje në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, siguroi se agjentët e CIA-s nuk rrezikojnë ndjekjen penale. "Duke publikuar këto dokumente kërkojmë të sigurohemi se agjentët, të cilët kanë vepruar për hir të detyrës duke u bazuar te këshillat e marra nga Departamenti i Drejtësisë, nuk do të bëhen subjekt i asnjë hetimi", u shpreh Obama, duke shpjeguar se "jemi në një çast reflektimi, jo hakmarrjeje".

Qendrat famëkeqe të burgimit, të ashtuquajturit "vendet e zinj", në Azi dhe në Evropën Lindore, u mbyllën nga administrata "Obama", e cila, duke denoncuar përdorimin e torturës, vendosi të publikonte disa dokumente për të ndihmuar Amerikën "të përballet me një kapitull të errët e të dhimbshëm" të historisë së saj. Memorandumet - ekzistojnë katër të tillë, nga viti 2002 në 2005 - përshkruajnë një seri teknikash agresive marrjesh në pyetje, të autorizuara nga administrata "Bush", që shkonin nga tortura me ujë, te lënia e të burgosurve pa gjumë, e tek ekspozimi i tyre në temperatura shumë të ulëta apo shumë të larta. Dokumentet u bënë publike pas një debati të brendshëm mjaft të nxehtë, të nxitur sidomos nga shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Publikimi i dokumenteve përkon me nisjen e një hetimi të së përditshmes amerikane "New York Times", në qendër të të cilit qëndrojnë një seri raste abuzimesh të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit (National Security Agency, NSA), agjencia amerikane e kundërspiunazhit. Abuzimet janë kryer gjatë muajve të fundit të administratës "Bush" dhe kanë të bëjnë me praktikën e përgjimit të qytetarëve amerikanë në SHBA dhe jashtë vendit pa mandat nga gjykatat. Sipas së përditshmes, NSA ka përgjuar biseda private mes qytetarëve amerikanë, në një shkallë që i kalonte në masë shumë të madhe kufijtë e miratuar nga Kongresi. Mes shënjestrave të "veshit të madh" të kësaj agjencie, kishte qenë edhe një kongresmen: parlamentari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohej se kishte kontakte me një ekstremist, i cili gjendej nën vëmendjen e agjencisë për raporte të afërta me disa grupe terroriste teksa gjendej në Lindjen e Mesme me një delegacion parlamentar në vitin 2005 ose 2006.

Për praktikimin e torturës ka folur edhe Riçard Armitazh, numri dy i Departamentit të Shtetit në administratën e parë "Bush". Ish-zëvendësi i Kolin Pauell ka pranuar në një intervistë në televizionin "Al Xhazira", që CIA ka torturuar disa të dyshuar si terroristë me mirëkuptimin e Shtëpisë së Bardhë, por nënvizoi se as Pauell e as ai vetë nuk ishin në dijeni. Armitazh shpjegoi më pas gjatë intervistës se ai vetë, ashtu si Pauell, ishin të bindur se Konventa e Gjenevës duhej respektuar edhe kur bëhej fjalë "për luftëtarë armiq", ku kishte parasysh të burgosurit e zënë në Afganistan pas tragjedisë së 11 shtatorit, të cilët u dërguan në burgun e Guantanamos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›