E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohen dy monumente

Nis projekti për restaurimin e dy ndërtesave të rëndësishme në Gjirokastër, Babameto 1 në Bashte të Teqesë dhe Babameto 2 në pjesën e Pazarit Karakteristik të Gjirokastrës; e para monument i kategorisë së parë dhe tjetra e kategorisë së dytë. Iniciativa për këtë restaurim është ndërmarrë prej fondacionit suedez, "Trashëgimi kulturore pa kufi", në partneritet me restauruesit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Zyrën për Administrimin dhe Koordinimin e Qytetit Muze të Gjirokastrës, Organizatën për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës. Projekti suedezo-shqiptar, i quajtur "Gjirokastra 2009-2011", financohet pikërisht prej Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe GCDO-së. "Krahas restaurimit të plotë të fasadave dhe pjesëve të brendshme të këtyre dy monumenteve, projekti përmban edhe kurse trajnimi të restauruesve të rinj shqiptarë, por edhe të atyre nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, ndërkohë që ne do të organizojmë edhe 6 kampe ndërkombëtare restaurimi, duke synuar hedhjen e disa hapave të rëndësishëm për krijimin e një brezi të rinj restauruesish të aftë për të përballuar sfidat e konservimit të vlerave arkitektonike te Gjirokastrës", theksoi gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve Lejla Hadzis, përfaqësuese e fondacionit suedez, "Trashëgimia pa kufi". Ky projekt, që kap vlerën e përgjithshme 578 mijë euro nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në MTKRS, Olsi Lafe, është konsideruar si projekt i një rëndësie të veçantë. "Qëllimi ynë i përbashkët nuk është vetëm restaurimi i këtyre monumenteve, por edhe rijetëzimi i tyre, duke bërë kthimin e tyre në godina funksionale për banim dhe për shërbime publike", theksoi Lafe. Ndërsa për drejtorin e Drejtorisë Rajonale, Spartak Drasa, projekti është një vazhdim i projekteve të financuara nga qeveria shqiptare dhe UNESCO. Ato synojnë që në harmoni të plotë me këto projekte të shkojnë edhe projektet për restaurimin e Hanit të Stavros, banesa monumentale e Gurgait, restaurimet në Qafë të Pazarit, si dhe banesa e shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare. Të gjitha këto monumente së bashku pritet të kthehen të vizitueshme për turistët gjatë këtij sezoni turistik. Ndërkaq, në kuadrin e aktiviteteve kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës në qytetin e Gjirokastrës dhe në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, janë organizuar edhe veprimtari të tjera. Ashtu siç edhe e përmendi para disa ditësh drejtori i Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Olsi Lafe, sot në kuadër të nismës së ndërmarrë prej këtij institucioni, muzeumet në Gjirokastër janë të hapura pa pagesë për të gjithë vizitorët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›