E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama ‘shndërrohet’ në aktor komik

Uashington -Presidenti Barack Obama mori rolin e aktorit kryesor komik mbrëmjen e kaluar kur parashikoi se 100 ditët e dyta të presidencës së tij do të ishin aq të suksesshme, saqë ai do t'i përmbyllte ato në një kohë rekord. "Më duhet të rrëfehem se në të vërtetë nuk kisha dëshirë të isha këtu sonte", iu drejtua Obama të ftuarve në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një takim i përvitshëm i një paneli të zgjedhur gazetarësh, politikanësh dhe njerëzish të famshëm të Hollywood-it.

"Por e dija që duhej të vija. Ky është edhe një problem më shumë që trashëgova nga George W. Bush." Duke i referuar aludimeve për reputacionin e tij si njeri i qetë, Obama renditi një seri objektivash që ai shpreson t'i arrijë. Gjatë 100 ditëve të ardhshme, vijoi ai, "do të mësoj t'ia dal mbanë pa ndihmën e teksteve të shkruar në monitor", ndërsa zëvendëspresidenti Joe Biden, i famshëm për gafat e tij verbale, "do të mësojë t'i rrijë strikt këtij teksti".

Obama tha gjithashtu se shpresonte të stërviste në shtëpi qenin e tij shtatë muajsh me emrin Bo. "Gjëja e fundit që Tim Geithner ka nevojë është dikush tjetër që do ta trajtonte si fikës zjarri", u shpreh Obama duke iu referuar sekretarit të Thesarit. Geithner u detyrua të paguante 34,000 dollarë për taksat e papaguara përpara se të merrte postin e sekretarit të Thesarit në administratën e Obamës dhe ndërkohë po përballet me kritika lidhur me menaxhimin e krizës financiare në vend.

"Përfundimisht, besoj se 100 ditët e mia të ardhshme do të jenë aq të suksesshme, sa do të jem në gjendje t'i mbyll për 72 ditë. Dhe në ditën e 73-të do të bëj pushim", u shpreh me humor presidenti. Duke ironizuar median, Obama tha: "Rrëmojmë te ju për të vërtetën, edhe pse gjithmonë kjo e vërtetë është diçka e përafërt". Më pas Obama u detyrua "të mbante brinjët" nga të qeshurat e shkaktuara nga aktorja komike Wanda Sykes.

Ajo ishte pjesë e tryezës kryesore të darkës që mblodhi së bashku afro 2,700 persona në aktivitetin e përvitshëm, ku një pjatë kushton 200 dollarë dhe fitimet e së cilës shkojnë për vepra bamirësie dhe për financimin e bursave të gazetarisë. Sykes, e njohur për trajtimin e saj me sarkazëm të ngjarjeve aktuale, shprehu krenarinë e saj që Obama është presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Kjo në fakt do të vlente nëse nuk e djallos", tha ajo duke iu drejtuar Obamës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›