Obama shpall emergjencën kombëtare nga A/H1N1 në SHBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka shpallur emergjencë kombëtare në vend për shkak të gripit të derrit që ka prekur në vend më shumë se 1 milion persona, duke shkaktuar vdekjen e 1 mijë prej tyre në 46 nga 50 shtetet e vendit. Presidenti Obama e mori këtë vendim në mënyrë që të përshpejtohet shpërndarja e vaksinave dhe nëse është e nevojshme të ndërmerren operacione speciale për të përballuar epidemitë apo pandemitë e përmasave të mëdha. Në një deklaratë të shpërndarë në Uashington, Shtëpia e Bardhë ka saktësuar se Obama ka firmosur deklaratën e emergjencës, një fakt që lejon ndërmarrjen e veprimeve në shkallë të gjerë, nëse është e nevojshme pa respektuar rregullat federale që zbatohen në situata normale. Vendimi i Obamës u bë pasi u regjistruan vonesa të mëdha në shpërndarjen e vaksinave në Amerikë për t‘iu përgjigjur epidemisë së gripit të derrit. Aktualisht më pak se 16 milionë doza vaksinash janë të disponueshme, në vend të 30 milionë të tillave që ishin parashikuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë, këto ditë, bëri bilancin e fundit të viktimave të gripit A, sipas së cilës mbi 5 mijë persona kanë vdekur dhe mbi 414 mijë të tjerë janë infektuar.