E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Prishtinës shënon udhëtarin e njëmiliontë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, i cili gjendet aktualisht në prag të privatizimit, njoftoi se ka shënuar dje udhëtarin e njëmiliontë për këtë vit, si dhe rritje të numrit të pasagjerëve të përpunuar me 5 për qind pavarësisht krizës ekonomike botërore.

"Në 2008, për herë të parë në historinë e këtij aeroporti, u arrit dhe u tejkalua shifra prej 1 milionë udhëtarësh dhe ne festuam. Këtë vit, nëse gjithçka do të ishte normale, kalimi i udhëtarit të njëmiliontë nuk do të përbënte lajm. Por, duke pasur parasysh krizën dhe rënien e numrit të udhëtarëve gati në të gjitha aeroportet e regjionit, kalimi i këtij udhëtari 20 ditë më herët se vitin e kaluar, paraqet një statistikë optimiste dhe rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve", tha drejtori menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa.

Gjatë vitit 2008, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës pati 1.14 milionë udhëtarë të zakonshëm dhe 100 mijë ushtarakë.

Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit numri i pasagjerëve është rreth 5 për qind, ndërsa numri i fluturimeve është rritur mesatarisht për 17 për qind.

Aeroporti i Shkupit ka rënie të numrit të udhëtarëve prej 7 përqindësh, Aeroporti i Beogradit ka rënie prej 12 përqindësh, ndërsa Aeroporti i Zagrebit dhe ai i Lubjanës po ashtu kanë rënie mbi 10 për qind të numrit të udhëtarëve.

Aeroporti i Prishtinës pritet të jepet me koncesion brenda këtij viti sipas modelit të aeroportit të Tiranës. Investitorët privatë do të menaxhojnë aeroportin për interes të vet në njëzet vitet e ardhshme, por do të kenë detyrimin të ndërtojnë një terminal, një kullë të re kontrolli, një hangar dhe një zonë parkingu për avionët. Investimi i kërkuar për këto punime vlerësohet në rreth 100 milionë euro, ndërkohë që koncesionmarrësi pritet të realizojë të ardhura prej rreth 400 milionë eurosh në dy dekadat e ardhshme. Në garë janë katër konsorciume ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›