E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, mbërrijnë inspektorët e OKB-së

Inspektorët e OKB-së kanë mbërritur në Iran për të vizituar fabrikën e pasurimit të uraniumit në Qom, të zbuluar pak kohë më parë nga ndërkombëtarët, çka rriti më tej tensionet mes Perëndimit dhe Teheranit për çështjen bërthamore. Inspektorët që mendohet se do të qëndrojnë disa ditë në këtë zonë pritet të vërtetojnë pretendimet e Iranit se nuk ka ndërmend për ndërtimin e bombës atomike, por përdorimin e uraniumit vetëm për qëllime paqësore. "Kanë mbërritur për të bërë disa inspektime rutinë", deklaroi për "Reuters", Alì Shirzadian, një zëdhënës i Organizatës për Energjinë Atomike iraniane pa dhënë detaje të hollësishme. Ekspertët e Kombeve të Bashkuara duhet të vizitojnë këtë stabiliment, në fazë ndërtimi, që ndodhet 160 kilometra në jug të Teheranit. Irani e mbajti të fshehur për tre vjet ndaj komunitetit ndërkombëtar këtë fabrikë, duke shtuar më tej frikën e Perëndimit. Pasurimi i uraniumit mund të përdoret si karburant për impiantet nukleare, por edhe si material për të prodhuar bomba atomike, nëse pasurohet në një përqindje më të lartë. Irani, që dëshiron ta përdorë për qëllime tërësisht paqësore, pranoi që ta hapë fabrikën për inspektorët e OKB-së pas takimit të bërë në Gjenevë më 1 tetor me gjashtë fuqitë e tjera botërore. Megjithatë të premten e shkuar në Gjenevë, Teherani vuri në dyshim projektin për të dërguar jashtë vendit një pjesë të mirë të uraniumit të pasuruar derisa të punohen dhe transformohen në karburantin e përshtatshëm për qëllime mjekësore për t‘u përdorur më pas në Teheran. Ky është një nga dyshimet më të mëdha të Perëndimit se Irani kërkon ta përdorë vërtet uraniumin për qëllime civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›