E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët, në pritje të akcizës së re

Tregu i cigareve në Tiranë ka mbetur pezull këto ditë ku grosistët ngurrojnë të shesin te tregtarët me pakicë në pritje të hyrjes në fuqi të akcizave të reja. "Nuk më shesin në sasi prej disa stekash njëherësh, për shkak se këto janë ditët e fundit me çmimet e vjetra", thotë një tregtar.

Ligji për akcizat u miratua në Parlament këtë muaj dhe pritet të hyjë në fuqi pas pak ditësh. Për cigaret u përcaktua rritja e akcizës me 10 lekë për paketë nga 40 lekë që është aktualisht në 50 lekë. Për pasojë, çmimet e cigareve në treg pritet të rriten në 12-15 lekë.

Ndërkohë, doganat raportojnë dyndje të fuqishme në importimin e cigareve gjatë dy muajve të fundit, për shkak se grosistët po përpiqen të importojnë sa më shumë të jetë e mundur para hyrjes në fuqi të akcizave të reja. Kështu, në qershor, kur qeveria miratoi projektligjin, u importuan 432 tonë cigare, ose 50 për qind më shumë se një muaj i zakonshëm, ndërkohë që në gusht, importet kërcyen në 600 tonë. Cigaret janë malli i tretë më i rëndësishëm për sa i përket të ardhurave doganore pas karburanteve dhe automjeteve. Vitin e kaluar, taksat mbi këtë produkt i sollën administratës doganore 3.9 miliardë lekë të ardhura ndërsa në periudhën janar-gusht të këtij viti, të ardhurat qenë 2.7 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›