E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi kërkon në Itali lejet e transportit

Ministri shqiptar i Transporteve, Sokol Olldashi, i kërkoi homologut italian, Altero Matteoli, shtimin e numrit të lejeve të disponueshme për transportin ndërkombëtar të mallrave për të shmangur një problem që i kushton shumë para eksportuesve dhe importuesve shqiptarë çdo fund viti. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Transportit.

"Ministri italian i Transporteve, Altero Matteoli u angazhua për zgjidhjen e problemit të autorizimeve për transportuesit shqiptar drejt Italisë, angazhim të cilin e mori gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin Olldashi në Napoli", njoftoi ministria.

Problemi i autorizimeve të transportuesve shqiptarë drejt Italisë ndeshet çdo fund viti për shkak të numrit të kufizuar të tyre nga pala italiane. Për këtë arsye, ministri Olldashi kërkoi një shtesë të numrit të autorizimeve për shkak të kërkesave gjithnjë e në rritje të transportuesve shqiptarë drejt Italisë.

Çdo vit import-eksporti i mallrave me Italinë bllokohet 1-3 muaj për mungesë të lejeve bilaterale të kalimit për kamionët shqiptarë. Kjo, sepse nga Ministria e Transportit e Italisë nuk jepet sasia e nevojshme e lejeve bilaterale për të përballuar nevojat e transportuesve.

Transporti ndërkombëtar i mallrave është një treg prej qindra milionë eurosh në vit në Shqipëri, por pengesat e panumërta jotarifore për kompanitë shqiptare të kësaj fushe ka bërë që vendi të ketë një bilanc negativ edhe në këtë fushë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar Shqipëria pati 144 milionë euro të ardhura nga eksportet e shërbimeve të transportit dhe 240 milionë euro shpenzime nga importet e këtij shërbimi, me një bilanc të përgjithshëm negativ prej 64 milionë eurosh. Deficiti ishte dy herë më i lartë se një vit më parë. Transporti ndërkombëtar rrugor i mallrave mbikëqyret nga marrëveshje dypalëshe e shumëpalëshe. Aftësia negociuese në këto marrëveshje përcakton në shkallë të gjerë edhe aftësinë konkurruese të kompanive shqiptare të kësaj fushe.

Ministri Olldashi i kërkoi homologut të Transporteve, Dominique Bussereau, ndihmë për vendosjen e tahografëve dixhitalë në mjetet e kompanive shqiptare të transportit ndërkombëtar. Tahografët janë pajisje që masin distancën, orarin dhe shpejtësinë e mjetit dhe shërbejnë për kontrollin e respektimit të rregullave të transportit rrugor apo orareve të pushimit nga ana e shoferëve të kamionëve. Përdorimi i tahografëve shërben për disiplinimin e trafikut dhe shmangien e aksidenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›