Obama takon Berishën: Do vizitoj Shqipërinë
ADI SHKEMBIPresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama do të vizitojë Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një prononcimi për mediat nga Kopenhageni. Në ditën e fundit të Samitit për Klimën, që po mbahet në Danimarkë, kreu i qeverisë shqiptare u takua me Presidentin Obama, të cilit i tha se shqiptarët presin vizitën e tij në Tiranë. "Pata rastin të takohem shkurtimisht dhe të bisedoj shkurtimisht, por shumë përzemërsisht me Presidentin Obama, i cili tregoi një interes të gjallë për Shqipërinë. Unë iu përgjigja interesit të tij se të gjithë shqiptarët po presin ngjarjen e premtuar, vizitën e Presidentit Obama në Shqipëri. Presidenti Obama mu përgjigj me shumë kënaqësi se "It will happen", do të ndodhë dhe unë, tha z. Obama, do të vij", u shpreh kreu i ekzekutivit në prononcimin për mediat. Po ashtu, gjatë drekës kreu i qeverisë shqiptare u takua me sekretaren amerikane të shtetit Hilari Klinton. "Shkëmbyem jo vetëm përshëndetje, por edhe mendime të përzemërta. Sekretarja e Shtetit, Klinton sërish më premtoi se do të vizitojë Shqipërinë", bëri të ditur kryeministri. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Danimarkë, Berisha mori pjesë në pritjen dhe darkën që Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II kishte shtruar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të pranishëm në Samitin për Klimën, në Kopenhagen. Gjatë kësaj pritje kreu i qeverisë u takua me Presidentin e Francës Nicola Sarkozi, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, Presidentin e Parlamentit Evropian Busek, Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, si dhe zyrtarë të lartë të vendeve të tjera. Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit të Ministrave në këto biseda Kryeministri Berisha diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për përpjekjet e Shqipërisë për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e të gjithë potencialeve të saj për energji të rinovueshme. Gjatë takimeve, Berisha përsëriti ftesën për bashkëbiseduesit e tij për të vizituar Shqipërinë. "Në të gjitha këto takime u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet ekonomike në vend. Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me gjendjen solide të ekonomisë shqiptare, si një ekonomi me një rritje rreth 5 për qind, me stabilitet të plotë makroekonomik, me deficit buxhetor 3.9 për qind, rritje të madhe të investimeve, zhvillimin e turizmit dhe stabilitetin e sistemit bankar në vend. Në këto biseda të ngrohta, Kryeministri Berisha mori mbështetje të plotë për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me këto vende mike, si dhe mori mbështetje nga të gjithë Kryeministrat e vendeve anëtareve të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE", thuhet në njoftimin për shtyp të Qeverisë.Imami firmos marrëveshjen për 5 helikopterëMinistri i Mbrojtjes, Arben Imami nënshkroi dje marrëveshjen për blerjen e pesë helikopterëve nga kompania franceze "Eurokopter", me vlerë rreth 78.6 milionë euro. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të këtij dikasteri bëhet e ditur se helikopterët do të jenë të tipit AS 532 AL COUGAR dhe do të futen në përdorim në strukturën e forcave tona ajrore përgjatë 3-4 viteve të ardhshme. Në përfundim të nënshkrimit të aktit, ministri Imami e vlerësoi atë si një moment shumë të rëndësishëm për Forcat e Armatosura Shqiptare dhe veçanërisht për Brigadën Ajrore. "Forcat tona të Armatosura janë në rrugën e modernizimit dhe po shënojnë arritje të reja në përmbushjen e standardeve dhe të ndërveprimit me NATO-n", theksoi kreu i Mbrojtjes. Marrëveshja u vlerësua edhe nga zv.presidenti i kompanisë franceze, Thomas Hein.Kryeministri: Shqipëria jashtë krizësKryeministri Berisha tha dje se gjatë takimeve me liderët botërore i njohu me situatën ekonomike në vend. "Një vend qendror në këto bisedime kanë zënë zhvillimet dhe kureshtja për situatën ekonomike të Shqipërisë "Shqipëria jashtë krize". Unë i njoha bashkëbiseduesit e mi me faktin se Shqipëria këtë vit, për 6 muajt e parë, ruan një rritje ekonomike prej 5 %, ajo po bën çmos të ketë një deficit buxhetor prej 3.9 %, ka pasur një rritje 36 % të turizmit, ka pasur gjithashtu një rritje prej 59% të investimeve të huaja dhe një rritje të së ardhurave prej 7 %", tha Berisha.