E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Cana nuk duhet të jetë kapiten i Sunderlandit

 Për herë të parë loja e Lorik Canës po vihet në pikëpyetje tek skuadra e Sanderlendit. Sipas një analize të bërë nga gazetari i të përditshmes prestigjoze “The Mirror” ka një sërë shkaqesh pse kosovari nuk duhet të jetë kapiten i Sanderlendit. “Kur e mori nga Marseja me statusin e kapitenit të asaj skuadre Stiv Brus nuk hezitoi që ta bënte kapiten dhe te Sanderlendi. Por tashmë ky vendim i Brus, po vihet në pikëpyetje, ngaqë historia disiplinore e Canës kërcënon të minojë punën mbresëlënëse të Sunderlandit në këtë kampionat. Në total, tetë kartonë të verdhë deri më tani, kanë sjellë tashmë dy ndeshje pezullim për këtë sezon të Canës, ndërsa Stiv Brus këmbëngul se nuk do të përpiqet për ta frenuar qëndrimin dhe lojën e ashpër të kapitenit te vet. Por, në një farë mënyre është e qartë se menaxherit të Sunderlandit i duhet të gjejë një kompromis të pranueshëm me lojtarin, që ta mbajë kapitenin e tij të pandëshkuar nga arbitrat”, shkruan media angleze. Më tej gazetari përshkruan në pak rrjeshta gjithë karrierën e futbollistit shqiptar duke prekur më së shumti mënyrën e tij të lojës. “Cana ishte një lojtar ‘i egër’ edhe 16 vjeç, që kur menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, dëshiroi ta merrte në Londër. Ndërkohë ai vazhdon ende t’i admirojë cilësitë e Canës, pasi, sipas teknikut francez, ai ka ngjashmëri të veçanta të stilit agresiv të Patrik Vierasë. Dhe nuk ka asnjë dyshim që Cana është i sinqertë, luan me vendosmëri, si një luan. Kjo mënyrë loje e shqiptarit mbart të gjitha shenjat dalluese të Vierasë, bashkë me tendencën për të luajtur vazhdimisht gjer në skajet e rregullave të futbollit. Tani, si i vetmi lojtar që mund të krahasohet me Vieranë në “Premier League”, sfida e Canës është reduktimi i kartonëve, që i merr “pa doganë”. Pra, duhet të përkushtohet tërësisht në revizionimin e stilit të lojës, që të mos vijojë të jetë një “dele e zezë” për gjyqtarët”, përfundon shkrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›