Bie kërkesa e parë për ekstradimin e Kumbaros
Ilir Kumbaro, ish-funksionari i SHIK para 1997, i akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, “i shpëton” ekstradimit në Shqipëri. Apeli i Ekstradimeve në Londër i tha “jo” dje kërkesës së parë të autoriteteve shqiptare për transferimin e Kumbaros në Tiranë për të marrë pjesë në procesin që po zhvillohet në mungesë të tij. Autoritetet angleze të drejtësisë, vendosën refuzimin e kërkesës shqiptare për ekstradimin e Kumbaros, me argumentimin se Gjykata e Lartë shqiptare ka vendosur pak ditë më parë heqjen e masës së sigurisë në ngarkim të tij. Po kështu gjykata londineze e ekstradimeve është njohur edhe me masën e re të sigurisë, “arrest në burg në mungesë” që u vendos katër ditë më parë për Kumbaron, por argumentoi se kjo masë ka të bëjë me një akuzë dytësore që ka lidhje me çështjen “Remzi Hoxha”, për të cilën vetë drejtësia shqiptare hoqi masën shtrënguese. Burime nga procesi pohojnë se gjykata londineze gjatë seancës së djeshme u vu në dijeni të faktit se autoritetet shqiptare të drejtësisë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila po shqyrton dosjen “Remzi Hoxha” ka vendosur një tjetër masë sigurie në mungesë për Kumbaron, kësaj here për torturimin e kosovarit Avdyl Loshaj, dëshmitar në këtë proces. Duke u nisur nga fakti që kemi të bëjmë me një procedim të lidhur dhe se dosja kryesore është ajo që po shqyrtohet, gjykata angleze ka vendosur të refuzonte kërkesën shqiptare për ekstradimin e ish-funksionarit të SHIK para vitit 1997. Aktualisht, nga Tirana është nisur drejt Londrës vendimi tjetër i masës së sigurisë për Kumbaron. Ish-funksionari i SHIK, i liruar nga qelia pak ditë më parë nën masën shtrënguese “detyrim paraqitjeje”, me vendimin e djeshëm i ka dhënë fund problemeve me drejtësinë angleze për llogari të autoriteteve shqiptare që po e gjykojnë në Tiranë. Ndërkohë në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi në ngarkim të Ilir Kumbaros, Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit ndodhet ende në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë. Aktualisht, asnjë prej të pandehurve nuk ndodhet nën masë sigurie, pasi më parë Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i hoqi “arrestin e shtëpisë” Sefgjinit dhe Koldashit, ndërsa Gjykata e Lartë i konfirmoi këto masa. Ndërsa Kumbaro u arrestua në Angli, ndërsa qëndronte i fshehur nën identitetin e një kosovari.