Dinamo në Peqin si “kampion dimri”
Superliga zbret sërish në fushë për të dytën herë për këtë javë. Pikërisht me tri ndeshjet e para, që do luajë sot dhe me tri të tjerat që do të zhvillohen nesër mbyllet java e 16-të e Superiores. Dinamo do luajë në Peqin, në një transfertë të vështirë, ku Shkumbini do kërkojë medoemos fitoren. Duke qenë se vjen pas një humbjeje të thellë në Krujë, 4-1, javën paraardhëse, çka i kushtoi shkarkimin tërë stafit drejtues, Shkumbini do tentojë me të gjitha forcat rehabilitimin para tifozëve të vet. Duke qenë se ka përballë Dinamon, natyrisht që oreksi vjen e shtohet vetvetiu. Po sot një ndeshje derbi do të luhet në Laç. Skuadra vendase do të presë Kastriotin e Krujës. Kurbinasit vijnë pas humbjes 2-0 në Fier, javën e kaluar, ndaj do të synojnë patjetër 3 pikët, por jo pa ambicie do të jenë edhe krutanët. Ndërsa në Vlorë, Flamurtari i vendit të fundit do të presë Gramozin e Ersekës, i cili e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë skuadrën kuqezi. Në drejtimin e kolonjarëve është një vlonjat, Agim Canaj, i cili e njeh mjaft mirë Flamurtarin, për pasojë do të jetë në gjendje të ndërtojë edhe strategjinë fituese. Nga ana e vet, Flamurtari po kalon momente tepër të vështira, pasi prej javësh mbyll tabelën e klasifikimit. Presidenti Gjika ka votëbesuar trajnerin Magani, ecuria e të cilit në krye të skuadrës vlonjate ka qenë mjaft negative. Nesër do të luhen edhe tri ndeshje të tjera të kësaj jave, ku spikat ajo mes skuadrave “fqinje” në renditje, Apolonisë së vendit të tretë dhe Tiranës së vendit të katërt.