Mourinjo përballë të kaluarës, Milan rigjen Fergusonin
Leonard KarajMilan-Mançester Junajtid dhe Inter-çelsi janë këto dy supersfidat e një të tetave të finales së Champions League. Barcelona ndaj Shtutgartit, ndërsa Real sërish me Lionin. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës ka qenë i pamëshirshëm për ekipet italiane, duke i përplasur ato me disa prej skuadrave më të forta të Evropës për momentin. Për Karlo Ançelotin do të jetë një rikthim në “San Siro”, kundër rivalëve të Interit me të cilët ka luajtur derbe të shumta kur drejtonte Milanin. Ndërsa është mbresëslënës edhe rikthimi në ndeshjen e dytë e Jose Mourinjos në “Stamford Brixh” atry ku drejtoi çelsin për disa sezone radhazi, por pa mundur që të fitojë trofeun më të lakmuar, Kupën e Kampioneve. Ndërkohë skuadra e Leonardos do ketë përballë Mançester Junajtid, që nuk ka më Kristiano Ronaldon, por me një trajner ekspert si Ferguson, mbetet gjithnjë i frikshëm. Gjithsesi, Milani ka arritur t’i eleminojë “Djajtë e Kuq” në përballjet e fundit mes tyre. Ndeshja e vendos Devid Bekham kundër ish-skuadrës së tij. Ndërkohë edhe skuadra e tretë italiane, Fiorentina, do të ndeshet me kundërshtarin më të vështirë të vazos së dytë, Bajernin e Mynihut. Në përballjet e tjera, kampionia në fuqi, Barcelona do të ndeshet me Shtutgartit, ndërsa Reali i Madridit do të gjejë Lionin, skuadër kjo e cila e pati eliminuar jo më larg se një sezon më parë. Arsenali do të ndeshet me Porton, ndërsa dy sfidat e tjera janë Olimpiakos-Bordo dhe CSKA e Moskës-Sevilja. Ndeshjet e para do të luhen më 16 dhe 17 shkurt 2010, ndërsa ato të kthimit më 9 dhe 10 mars. Përjashtim bëjnë vetëm ndeshjet e Milanit dhe të Interit që luhen në një stadium. Ndeshja e zikaltërve do të shtyhet me një javë, pra do të luhet më 24 shkurt në San Siro dhe më 16 mars në Londër.