E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen dhjetëra komuna në veri

 Moti i keq me reshje të dendura dëbore izolon dhjetëra komuna në veri të vendit. Situata më problematike paraqitet në qarkun e Kukësit, Shkodrës dhe Dibrës, por edhe në Berat, ku për shkak të reshjeve, një lagje e qytetit ndodhet në rrezik për shkak të rrëshqitjes së tokës. Ndërsa në Bulqizë, për shkak të dëborës një makinë doli nga rruga, duke aksidentuar për vdekje një person.  Reshjet që ranë gjatë gjithë natës së të enjtes e çoi trashësinë e dëborës në qytetin e Kukësit në 20 cm, ndërsa në zonat e thella ajo arrinte në gjysmë metri. Shumica e 24 komunave të qarkut, ku përfshihen edhe Hasi e Tropoja janë të izoluara. Më në vështirësi janë komunat Arrën, Kalis, Zapod, Shishtavec, Kalis, Gjinaj, Lekbibaj etj. Ndërsa aksi nacional kalohet me zinxhirë. Reshjet e dëborës sollën probleme edhe në qarkun e Shkodrës. Në zonat malore, trashësia e dëborës arriti në mbi 40 cm, ndërkohë që reshjet vijojnë pa ndërprerje. Policia rrugore bëri të ditur se aksi Qaf-Thore–Theth dhe Shosh-Dukagjin janë të bllokuara. Në rrethin e Malësisë së Madhe, në aksin Tamarë-Vermosh lëvizet vetëm me zinxhirë. Probleme paraqiten edhe në Pukë, sidomos aksi Fushë Arrës-Iballë. Në Bulqizë, 28–vjeçari Ajet Shira, baba i dy fëmijëve humbi jetën pasi mjeti i drejtuar nga 49–vjeçari Shkëlzen Hoxha doli nga rruga duke rënë në një humnerë 300 metra. Ky i fundit pësoi plagë të rënda. Shkak sipas policisë ishte moti i keq dhe më dëborë në aksin Qafa e Buallit-Krastë. Moti i keq me shi po sjell probleme edhe në lagjen “Muzakaj” në Berat, ku dy ditë më parë rrëshqiti toka dhe u shembën 5 shtëpi. Dje janë plasaritur edhe 10 shtëpi, ndërsa banorët u evakuuan. Toka po avancon në shembje, duke rrezikuar jetën e banorëve. Ndërsa në aksin Gramsh–Elbasan u shkëput po dje një masiv i madh dheu, duke rrezikuar jetën e një furgoni me efektiv të policisë, të cilët po transportonin një të arrestuar për vjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›